10% më shtrenjtë do të paguhen furnizimet me perime

Me shfuqizimin e çmimeve të garantuara, nga 1 marsi nuk vazhdojnë më të vlejnë edhe dy vendimet për ulje të tarifave doganore me 10% për produktet bujqësore të importuara nga jashtë, shkruan Alsat.

Kjo nënkupton që furnizimet e reja të domateve, trangujve, specave, maruleve, qepëve, karotave, brokolit, patëllxhanëve, preshit, lulelakrës dhe kungulleshkave do të paguhen me doganë të mëparshme 10% më shtrenjtë, e cila do të ndikojë drejtpërdrejtë në ngritjen e çmimeve me pakicë nëpër markete dhe tregje të gjelbra.

Madje, Zëvendësministri i bujqësisë, Cvetan Tripunovski, tha se tregu i brendshëm gjithnjë e më shumë po bëhet i varur nga mallrat e importuara më të shtrenjta ngaqë shteti nuk po kujdeset për prodhuesit vendorë.

“Kjo me heqjen e çmimeve të garantuara nga ana tjetër nënkupton rritjen e çmimeve të konsumatorëve, por ajo që për mua është me rëndësi, që duhet Ministria e Bujqësisë të reagoj duke krijuar sistem nga prodhuesi vendor deri tek konsumatori final. Shohim se çmimet blerëse të gjitha prodhimeve bujqësore janë larg rentabiles derisa qytetarët paguajnë më shtrenjtë për prodhimet bujqësore. Hapësirën ndërmjet tregtarëve dhe furnitorëve e shfrytëzojnë marketet për ti rritur marzhat e fitimit. Pushteti përgatiti një ligj për parandalimin e tregtisë jo korrekte, por assesi të miratohet sepse nuk i japin prioritet. Në Kuvend ju japin rëndësi disa ligjeve që janë më pak të rëndësishëm në këtë periudhë”, tha Cvetan Tripunovski, Zëvendësministër i Bujqësisë.

Disa prej çmimeve akoma janë të pandryshueshme, ngaqë furnizimet janë bërë gjatë muajit shkurt kur ishin në fuqi masat dhe sa të shpenzohen nga magazinat dhe raftet, fatura të reja priten nga kjo javë.

Qytetarët janë adaptuar me këto çmime të shtrenjta dhe nuk kërkojnë ulje por vetëm mos të ngritën. Nga ana tjetër, marketet kanë rikthyer edhe ofertat për shitje të mallrave, por çmimet janë korrigjuar.

“Ndërkohë nëpër marketet e vogla ndryshe është situata me çmimet e produkteve ushqimore, kanë lëvizur edhe ca, por edhe që nuk japin kuponë fiskal janë më manipulative ndaj qytetarëve për ti lëvizur çmimet si ju përshtaten atyre. Ka prej shitoreve që akoma shkruajnë në fletore për borxh”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

“Ndërgjegje nuk kanë shumë por të shpresojmë që do tu përmbahen akoma çmimeve të vjetre sepse tani nuk ka më inflacion, ashtu po na thonë tani të shohim. Për gjërat ushqimore, ne jemi familje 4 anëtarësh dhe nën 30 mijë denarë nuk mbetemi, duke llogaritur nga 1 mijë denarë çdo ditë që shpenzojmë”, u shpreh një qytetar.

“Këtë po e dëgjojmë tani një muaj njësoj, ka disa shtrenjtime, por nuk shoh shuma drastike momentalisht si do të jetë më tej nuk e di!”, theksoi një qytetar.

“Normalisht për dikë janë të shtrenjta. Varet kush punon, nganjëherë mezi gjen ndonjë ditë për të punuar kjo është më e keqja që nuk punojmë rregullisht”, u shpreh një qytetar tjetër.

Këto vendime ishin në fuqi nga shtatori deri në fund të muajit shkurt.

Por ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA-s, siç janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Moldavia, vazhdon të mos ketë detyrime doganore për produktet bujqësore.

Megjithatë, importi më i madh i fruta perimeve drejt vendit tonë bëhet nga tre shtet tjerë si Turqia, Greqia dhe Bullgaria./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu