111 vite pavarësi, një Shqipëri që ndryshoi rrënjësisht

Nga viti në vit, Shqipëria ka ndryshuar me ritme të shpejta dhe sot më duket se ka ndodhur një revulucion.Pavarësisht gabimeve trashanike të politikës, Shqipëria me zhvillimin dhe infrastrukturën e sotme të jep mundësinë t’i shijosh të gjitha bukuritë e saj që ja ka falur Zoti. Dikur nuk guxonim të shihnim as nga dritarja e sot mahnitemi nga perlat e saj…

Nga: Muhamer Pajaziti

Para 20 viteve pata rastin ta vizitoj Shqipërinë për herë të parë. Me plotë emocione, me disa miq nga Presheva u nisëm me autobus nga Gjilani për në Durrës. Në autobusin përplotë me udhëtarë nga Anamorava, kumbonte muzika me një repertoarë të këngëve patriotike. E di se nuk do ta besoni, por ky udhëtimi na zgjati 14 orë. Rruga ishte një gjendje katastrofale dhe në disa terrene të vështira as që guxonim të shihnim nga dritarja. Kishte kolona të gjata të autobusëve, ndalesa dhe pritje në rrugë. Mezi arritëm në ora 8:00 të mëngjesit.

Në hyrje të Durrësit, trafiku ishte i stërngarkuar, buritë e veturave të shurdhonin dhe disa policisë që bënin përpjekje për rend dhe rregull, askush nuk i llogariste. Ndonëse perdja e hekurt kishte rënë para më shumë se një dekade, gjurmët e sistemit të kaluar dhe izolimit total vëreheshin kudo.

U vendosëm tek Hotel Durrësi në qytetin e Durrësit. Një Hotel pa kushte elementare, pa ujë të ngrohtë dhe shtretër të kohës së Xhaxhit Enver. E kaluam një natë dhe të nesërmen ndërruam banim. Nga Durrësi shkonim me autobusë për në Plazhë, me autobusë që mbusheshin përplot me njerëz dhe mezi merrje frymë.

Në mbrëmje, dilnim në shetitoren e Durrësit të vjetër, një botë krejt tjetër. Një civilizim që neve jashtë Shqipërisë na mungonte. Nënat dhe baballarët, me vajzat e tyre të veshura kaq bukur dhe elegancë, shëtisnin në korzo dhe uleshin në pijetore për tu freskuar.Flisnin bukur, pastër dhe përconin një identitet të kthjellë kulturor.

Ky ishte një përshkrim i shkurtër dhe jo një ankesë. Sepse unë dhe familja ime asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga bregdeti shqiptarë.

Nga viti në vit, Shqipëria ka ndryshuar me ritme të shpejta dhe sot më duket se ka ndodhur një revulucion.

Pavarësisht gabimeve trashanike të politikës, Shqipëria me infrastrukturën e sotme të jep mundësinë t’i shijosh të gjitha bukuritë e saj që ja ka falur Zoti. Dikur nuk guxonim të shihnim as nga dritarja e sot ne dhe e gjithë bota mahnitet nga perlat e saj.

Tirana me zhvillimin dhe dimanikën e saj ka lënë mbrapa shumicën e metropoleve në rajon.

Durrësi është i mrekullueshëm, Vlora të mahnitë, sidomos me Karaburunin e saj, që sikur i ngjanë parajsës, Shëngjini, Shkodra, Lezha… Po flas për këto qytete që kam pasur fatin t’i vizitoj, ndërsa në të ardhmëm ëndërr e kam ta vizitoj Valbonën, Beratin, Gjirokastrën e Sarandën.

Shqipëria sot është shumë më mirë. Politika dhe bizneset tani duhet të mendojmë më shumë për bashkëqytetarët e tyre, duke ndarë fitimet që vijnë si rezultatë i pasurisë së përbashkët. Të rritet mirëqenia, të sundoj drejtësia, të përmirësohen shërbimet në të gjitha sferat dhe të ndalet migrimi që po na vret si një murtajë e bardhë.

Shqipëria duhet ta ngrejë zërin edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët mezi frymojnë të rrethuar nga xhandarmeria serbe. Shqipëria duhet të ngrejë më tepër zërin edhe për Kosovën, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Ka akoma shumë gabime, por jemi në festë.

Shqipëria qoftë e bekuar dhe urime të gjithë shqiptarëve gjithandej ku jetojnë dhe ëndërrojnë shqip.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu