Janë marrë 15 vendime për largim nga puna për persona në funksione të larta në MPB për shkak të parregullsive gjatë dhënies së lejeve për armë. Ministri Toshkovski tha se në kabinetin e tij por edhe ai personalisht ka marrë denoncime nga qytetarë për mënyrën e zbatimit të procedurave në MPB për dhënien e lejeve për armë. Pas hetimit të detajuar, siç tha Toshkovski, nga ana e Komisionit që e ka zbatuar revizionin për denoncimet, u konstatua se në të kaluarën nuk është vepruar për mbi 5000 lëndë ndërsa në shumë raste ku aplikuesit nuk i kanë plotësuar kushtet kanë marrë leje për armë.
Pas propozimit të Repartit për kontroll të brendshëm është zbatuar procedurë disiplinore, ndërsa për ata për të cilët është konstatuar se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, është sjellë vendim për largim nga puna.
Por sipas ish ministrit të brendshëm Oliver Spasovski po ushtrohet presion ndaj profesionistëve të MPB-së të cilët punën e tyre e bëjnë me ndërgjegje. Njëkohësisht thotë se kjo është përpjekje që të maskohet ngjarja me bombën në lagjen Qeramidnica. Sipas Spasovskit, të njëjtën ditë të publikohet një lajm tjetër që t’i tërhiqet vëmendja opinionit.
Përndryshe, që në të ardhmen të pengohen parregullsi të këtilla gjatë dhënies së lejeve për armë, MPB në bashkëpunim me Ministrinë për transformim digjital prezantuan shërbimin e ri digjital ose mundësinë për dorëzimin e kërkesës online për leje për blerjen e armës për persona fizikë. Ky shërbim do të jetë i qasshëm në ueb faqen e MPB-së dhe portalit kombëtar uslugi.gov.mk. Ministri Toshkovski thotë se personat që tashmë kanë aplikuar për leje do të duhet ta bëjnë këtë përsëri.