15 tetori, ditë historike për Shqipërinë, hapen negociatat me BE për grup kapitullin e parë

15 tetori është një ditë mjaft e rëndësishme për vendin tonë sa i takon rrugëtimit europian. Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian për grup kapitullin e parë. Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës është publikuar axhenda e konferencës së dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe bashkimit Europian, që do të mbahet në Luksemburg.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për fushat dhe kapitujt e mëposhtëm.

-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.

Ndërkohë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani është pyetur sot nga gazetarët lidhur me Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, që pritet të mbahet javën e ardhshme në Luxemburg.

I pyetur se si po shkon Shqipëria në këtë mbledhje, ministri Hasani deklaroi se vendi është i qartë në atë që kërkon.

“Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon, e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat. Qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. E gjithë përpjekja, është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot. Lutem të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, që këtë moment historik ta konsiderojnë moment historik të tyrin dhe jo të asnjë grupi apo individi të përfshirë në të”, tha ai.

I pyetur lidhur me përfitimet financiare të Shqipërisë në këtë proces, ministri Hasani theksoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm, që shkon përtej financimeve.

Kjo nuk është pjesë parash apo punë xhepash. Ky është momenti më i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, me familjen në të cilën ne bëjmë pjesë”, theksoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu