Të nderuar bashkëveprimtarë, të nderuar qytetarë!
Kam nderin e veçantë që sot bashkarisht të shënojmë 16 –vjetorin e themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Ndaj shfrytëzoj rastin që të uroj përzemërsisht të gjithë anëtarët, aktivitstët, përkrahësit, simpatizantët, votuesit, bashkëveprimtarët, partnerët, por edhe të gjithë qytetarët e vendit.
Ky 16 vjetor e gjen Bashkimin Demokratik për Integrim me bilanc për këdo të lakmueshëm – me 12 fitore të njëpasnjëshme në të gjitha përballjet zgjedhore në vend, katër kongrese nga të cilat 3 zgjedhore dhe një tematik; me mijëra të punësuar në administratë dhe sektorin privat, me zona të lira ekonomike në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Shkup; me gazifikim të nisur për Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin; me shumë rrugë të ndërtuara dhe në ndërtim e suipër, me autostradën Kërçovë – Strugë; me mbledhje të përbashkëta qeveritare me Kosovën dhe Shqipërinë; me lidhje energjetike me Shqipërinë si dhe me kalim të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë pa pasaporta; me vijë të përcaktuar kufitare me Kosovën dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës; me një vaster institucionesh e objektesh arsimore e kulturore – me Teatrin Shqiptar në Shkup, Bibliotekën dhe Teatrin në Tetovë, Muzeun e Manastirit dhe Muzeun e Lirisë, Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe, Qendrën Memoriale Nëna Shqiptare në Zajaz, por edhe me projekte konkrete për ujësjellës në vendbanimet tona, Qendrën Urgjente në Tetovë dhe qendra spitalore të tjera, subvencione bujqësore, bursa arsimore dhe proekte të tjera të panumërta.
Ky 16 vjetor, gjithashtu, shënon përmbylljen e veprimit tematik të Bashkimit Demokratik për Integrim që filloi me ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ndarjen teritoriale, simbolet kombëtare, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit, marrjen e posteve kyçe në shtet si Kryeparlamentar, Avokat i Shtetit, Avokat i Popullit, Ministër i Mbrojtjes, Ministër i Punëve të Brendshme, etj, rrumbullakësimin e infrastrukturës së plotë në arsimin sipëror me legalizimin e Universitetit të Tetovës, hapjen e fakulteteve të reja, konvikteve, por edhe me themelimin e universitetit të dytë shtetëror shqiptar në Shkup, bashkë me shumë shkolla, çerdhe, salla sportive, sheshin Skënderbeu, Iliria, të flamurit, shtatoren e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Josif Bagerit, Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit, por edhe me shënimin institucional të 100 vjetorit të alfabetit, 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë si dhe 100 vjetorit të Flamurit, pa anashkaluar edhe kontributin për çuarjen përpara të reformave dhe për vendosjen e shtetit të së drejtës, që u valorizua me marrjën e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, hapjen e dialogut të lartë paraqasës me BE dhe rekomandimet për çelje të negociatave, mbylljen e kontestit me Bullgarinë e gjer tek zyrtarizimi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe, ndërkohë që jemi në prag të zgjidhjes së çështjes së emrit që mundëson marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian për t’u bërë anëtar me të drejta të plota si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Ky 16 vjetor na gjen fitimtarë dhe krenarë edhe pas një fushate të koordinuar shumëvjeçare dhe intenzive për të denigruar Bashkimin Demokratik për Integrim duke e luftuar atë në të gjitha mënyrat e mundshme, por pa ofruar alternativë, pa oferta konkurente, programore, pa politika konkrete, pa punë dhe pa vizion.
Ne s’jemi marrë me të tjerët, ne kemi shikuar punën tone: Për 16 vite rresht, kemi krijuar bashkë vepra dhe çështje, pa u marrë kurrë me shpifje e kundërshtime. Nuk kemi reshtur kurrë që të zgjidhim problemet e të përballojmë sfidat.
Në vazhdimësi, gjatë këtyre 16 viteve kemi kultivuar reputacionin e përfaqësuesit të denjë të qytetarit duke ruajtur njëkohësisht unitetin e fuqishëm brendapartiak dhe solidaritetin kolegjial, pa harruar vlerat dhe amanetin me të cilin e kemi nisur këtë rrugëtim – amanetin dhe zotimin për liri dhe barazi të plotë. Në këto 16 vite, me dinjitet të plotë kemi përfaqësuar shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal e ndërkombëtar dhe për këtë jemi vlerësuar nga të gjithë.
Me keqardhje rikujtoj se edhe ky përvjetor e gjen skenën politike shqiptare të fragmentarizuar me tendencë të thellimit të përçarjës së votës shqiptare në parti të panumërta. Jam i bindur se kësaj agjende të tjetërsimit dhe dobësimit të potencialit tonë politik në vend duhet t’I jepet fund – ne çmojmë fuqimisht se shqiptarëve në Maqedoni nuk ju duhen më tepër se dy parti politike për të arritur optimalen e përfaqësimit kombëtar dhe realizimit të kërkesave. Parcializimi i votës shqiptare në shumë parti, përfaqësimi me nahi e jo tërësi, na bën të parëndësishëm dhe joserioz para komunitet vendor dhe atij ndërkombëtar.
Sot, jemi në momentet vendimtare të rrumbullaksimit të proektit tonë të madh rilindas, atij të bashkimit me Familjen e madhe Euro-Atlantike. Prandaj, po punojmë për zgjidhje të shpejt dhe të qëndrueshme që do hap portat e NATO-së dhe BE-së për Maqedoninë, sepse kështu do të japim më së miri ndihmesën tonë për forcimin e paqës, stabilitetit dhe sigurisë, por edhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për mirëqenie shoqërore e kombëtare.
Këtë përvjetor e shënojmë në vigjilje të shumë projekteve e punëve që na presin. Ne do t’ia dalim, për shkak se ne në Bashkimin Demokratik nuk na mungon as dija, as përkushtimi e as energjia e guximi!
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë,
Duke shënuar përvjetorin tonë të 16, të zotohemi bashkë për të ardhmën e përbashkët, për solidaritetin midis nesh, për mbajtjen gjallë të frymës së bashkëpunimit me njëri-tjetrin, për bërjen realitet të shpresave të qytetarëve, për avancimin e fuqishëm të vlerave tona të përbashkëta, pse jo edhe për forcimin e mëtejshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim si një begati jona kombëtare.
Siç e nisëm 16 vite më parë, Bashkë dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, drejtë qëllimit të përbashkët, Bashkë do të vazhdojmë edhe gjatë dekadave që vijnë!
Gëzuar dhe na priftë e mbara!