Mbi 20 depo të po aq firmave private të vendosura në Hasanbeg janë shkatërruar tërësisht. Afaristët sot dolën me kërkesë deri tek pushteti që edhe ata të jenë pjesë e kompensimit të dëmit pasi malli i tyre në vlerë prej 15 milion euro është shkatërruar tërësisht. Mbi 300 puntorë të angazhuar në zonën e quajtur Ekonomia që kanë siguruar kafshatën e bukës, tani rrezikojnë të mbeten pa punë nëse depot nuk rindërtohen.
Pronarët e firmave që operojnë në këtë zonë na e treguan mallin që fillon prej ushqimit, teknikës së bardhë, lodrave, grurit e gjësendeve të tjera për amvisëri që tashmë kundërmonin më rëndë se sa kafshë të ngordhura. Balta i kishte mbuluar tërësisht, dhe ishte e vështirë të lëvizësh nëpër hapësirën e madhe disa hektarëshe. Që në hyrje të zonës tashmë kishte filluar të kundërmojë një erë e rëndë dhe balta kishte filluar të thahej, duke vështirësuar edhe pastrimin e mëtejmë.
Kjo zonë e cila gjendet në mes të Hasanbegut dhe Haraçinës nuk ishte e vetmja që kishte pësuar nga vërshimi. Në afërsi të saj kishte restorane, pika e karburantit, servis makinash që të gjithë duheshte të fillojnë nga e para. Tek tuk mund të shihej ndonjë zorrë për nevojat elementare të pronarëve në tentativë për të zbutur erën e keqe dhe papastërtinë që veq më shumë po përkeqësohej dhe po rrezikonte edhe shëndetin e tyre.
Megjithë faktin se këto kompani shqiptare janë dëmtuar skajshmërisht, ata shprehin gatishmëri për të ndihmuar me bukë ujë dhe gjëra të tjera elementare për familjet e vërshuara.