Këshilli i Ministrave ka akorduar një fond prej 160 milionë lekësh (të reja) për dëmshpërblimin e familjarëve të demonstruesve të “21 janarit”. Vendimi në fjalë është miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Shuma e barabartë me 1.2 milionë dollarë, është dhënë në formën e një shtese fondi në buxhetin e vitit 2017 për Ministrinë e Brendshme, për të dëmshpërblyer disa nga familjarët e viktimave, në zbatim të çështjeve të fituara prej tyre në gjykatë për dëmin e pësuar nga vrasja e familjarëve në 21 janar 2011.
“Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, i shtohet fondi prej 160 011 479 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, thuhej në vendimin e Qeverisë.
Referuar VKMsë në fjalë, fondi 160 milionë lekë të rinj i akordohet Gardës së Republikës së Shqipërisë, si palë humbëse në përballjet gjyqësore me familjarët e viktimave të “21 janarit”.
DEMSHPERBLIMI
Referuar vendimeve gjyqësore të Gjykatës Administrative,
bashkëshortja dhe fëmijët e viktimës Faik Myrtaj kanë përfituar rreth 40 milionë lekë të rinj dëmshpërblim. Përveç humbjes së babait, familja është dëmshpërblyer edhe për vetëvrasjen e djalit të Faik Myrtajt.
E shoqja dhe fëmijët e Ziver Veizit kanë përfituar gati 22 milionë lekë dëmshpërblim. Për fëmijët dhe bashkëshorten e Hekuran Dedës Gjykata detyron Gardën e Republikës t’i dëmshpërblejë në 20 milionë lekë, si dhe dëmshpërblim me 74 milionë lekë për vëllezërit dhe motrat e Dedës, nëntë paditës në total.
Nga ana tjetër, paditë për dëmshpërblim të vëllezërve dhe motrave të Faik Myrtajt, vëllezërve dhe motrave të Ziver Veizit, si dhe për familjarët e Aleks Nikës janë ende në gjykim. Në rast se ato do të fitohen, Qeveria do të duhet të akordojë një tjetër fond, në varësi të dëmshpërblimit që do të caktohet nga Gjykata. /albeu.com/