Historitë personale të 59 personave që humbën jetën si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut janë drithëruese.
Një nga historitë më tronditëse që ka dalë në dritë pas tragjedisë është ajo e Tose Bogdanov. 30 vjeçari kishte dalë mbrëmjen e së dielës për të festuar lindjen e djalit të tij. Gëzimi i tij dhe i familjes për ardhjen e një fëmije të ri u kthye në një tragjedi të papërshkrueshme.
Tose punonte në një dyqan riparimi makinash dhe jetonte me gruan e tij. Ajo kishte lindur djalin e tyre një natë përpara tragjedisë, dhe Tose kishte dalë për të festuar këtë moment të lumtur me miqtë e tij. Pas ngjarjes tragjike, familja e tij dhe të gjithë ata që e njihnin janë të tronditur nga humbja e një njeriu të dashur.
Mediat lokale kanë publikuar dëshminë e një personi të afërt me familjen Bogdanov, i cili ka thënë se
“Tose ishte bërë me djalë dhe doli për të festuar me miqtë lindjen e fëmijës. Ai donte të qeraste miqtë e tij dhe shkoi në një disko, por tani ai ka ikur përgjithmonë.”
Ky zjarr tragjik ka lënë pas edhe shumë të tjerë të plagosur, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka konfirmuar se zjarri shpërtheu si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë koncertit të grupit DNK, ndërsa autoritetet kanë lëshuar urdhra-arresti për disa individë të dyshuar, përfshirë pronarin e klubit.