69-vjeçari, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se ka kryer vepra të turpshme me një vajzë të mitur, e kishte marrë me mashtrim atë në banesë.
Burime nga Policia thanë dje se i moshuari e ka futur vajzën e mitur në shtëpinë e tij dhe aty dyshohet të ketë kryer vepra të turpshme me të. Në momentin kur ai e ka thirrur vajzën, duke i thënë se do ta qeraste me ëmbëlsira, pranë saj kanë qenë edhe disa fëmijë të tjerë, të cilët i kanë treguar babait të saj, raporton “Panorama”.
Policia tha se Çaça ka qenë vetëm në shtëpi në momentin që ka futur brenda vajzën e mitur dhe për këtë arsye ka dyshime se ai mund ta ketë ngacmuar atë seksualisht, nisur edhe nga deklarimet e babait të saj.
Ai, sapo ka mësuar nga fëmijët e tjerë, për veprimin e të moshuarit, ka nxituar të lajmërojë Policinë, në mënyrë që autori të kapej në flagrancë. Burimet thanë se në shtëpinë e Çaçës kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit të Kavajës, që janë futur brenda dhe kanë kryer arrestimin e 69-vjeçarit.
Ndërsa vajza është marrë nga familjarët e saj dhe në prezencë të tyre e të një psikologeje është pyetur se çfarë veprimesh kishte kryer me të i moshuari. Mësohet se vajza nuk ka pohuar asgjë, por ka filluar të qajë, veprim që ka shtuar dyshimet rreth pretendimeve të babait të saj.
Ky i fundit ka deklaruar se gjithmonë e ka parë me dyshime shtetasin e arrestuar, duke qenë se kishte një sjellje jo si gjithë të tjerët. Edhe pse nuk ka ndonjë provë të arsyeshme që ai ka kryer vepra të turpshme me të bijën, fakti që ajo ka qarë në momentin e parë që është takuar me prindërit, sipas të atit është dëshmi e mjaftueshme për të.
Nga ana tjetër, 69-vjeçari i arrestuar ka mohuar kategorikisht që të kishte ngacmuar në ndonjë formë seksuale vajzën e mitur, madje duke këmbëngulur që nuk e ka prekur, vetëm e ka puthur në faqe, fakt që e ka konfirmuar edhe vajza.