Në UT u mbajt Kongresi III Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore dhe Inxhinierike

Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore dhe Qendra për Shkencë dhe Hulumtime ,,Nobel” nga Republika e Turqisë, organizuan Kongresin III Ndërkombëtar të Shkencave Natyrore dhe Inxhinierike.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të UT-së, Prof. Dr. Fauzi Skenderi tha se ky kongres do të sjell prurje të reja në lëmin e shkencave të natyrës dhe inxhinierisë. “Ky organizim shkencor besojmë se do t’i përmbushë qëllimet tona, si në prezantimin e hulumtimeve më të reja në lëmin e shkencave të natyrës dhe inxhinierisë, por njëkohësisht, përmes konsultimeve mes studiuesve dhe bashkëpunimit mes tyre, do të intensifikojë edhe më shumë interesin për studime më të thella, hulumtime serioze shkencore, të rëndësishme për studentët dhe punonjësit shkencorë. Ky tubim, po ashtu është edhe një mundësi e shkëlqyer për ta forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë institucional në procesin e edukimit dhe punës kërkimore – shkencore. Përmes organizimeve të kësaj natyre do t’u hapim rrugë edhe formave të tjera të shkëmbimit, të cilat do të mundësonin përfitimin e diturive dhe përvojave të reja në sferat e të arriturave më të larta europiane dhe botërore, në arsim, shkencë dhe veprimtari aplikative”, tha Prof.Dr. Fauzi Skenderi.
Drejtori i Qendrës “Nobel” nga Republika e Turqisë, Prof.Dr. Mehmet Karatash vlerësoi se qëllimi i këtij kongresi është që studiuesit nga e gjithë bota mes vete të shkëmbejnë eksperiencat e tyre nga të gjitha aspektet e inxhinierisë. “Ky kongres ka për qëllim që të bëjë bashkë të gjithë shkencëtarët, hulumtuesit, si dhe studiuesit nga të gjitha anët e botës, për të shkëmbyer eksperiencat e tyre dhe rezultatet e hulumtimeve nga të gjitha aspektet e Inxhinierisë. Për këtë organizim kaq të mrekullueshëm të këtij kongresi dua ta falënderoj Universitetin e Tetovës dhe Rektorin e këtij universiteti, Prof.Dr. Vullnet Ameti, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që po na jep për realizimin e këtij kongresi”, tha Prof. Dr. Mehmet Karatash.
Në këtë kongres morën pjesë mbi 150 studiues shkencorë me kumtesat e tyre, nga lëmi i shkencave të natyrës dhe shkencave aplikative.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu