Shtimi i kompetencave të Avokatit të Popullit për të parandaluar shkeljen e të drejtave të njeriut nga institucionet ka përplasur ashpër LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në në Komisionin për Sistem Politik në Kuvend.
Deputetja e LSDM-së, Renata Deskovska, tha se propozimi i Qeverisë është vetëm “makiazh” ndaj ligjit të mëparshëm, ndërsa shtoi se me amendamentet e propozuara kërkojnë që Ombdusmani me të vërtetë të ketë qasje më të madhe në institucionet e shtetit. Deskovska nënvizoi se dëshirojnë që të hiqen të gjitha mundësitë që të pengohet puna e Avokatit të Popullit nga ana e institucioneve të shtetit.
“Shtesa në alinenë 14, fjalët se ai do të bëjë kontroll dhe mbikëqyrje të organeve, vetëm do të kontribuojë drejt rritjes së kompetencave të tij, por edhe ndikimit të Avokatit të Popullit, ndërsa kjo është edhe në kontekst të përvojave komperative të ombdusmanëve të vendeve të tjera”, ka deklaruar Renata Deskovska, LSDM.
Por zv/ministrja e drejtësisë, Biljana Brishkovska-Boshkovski ka deklaruar se Qeveria nuk po e pengon aspak punën e Avokatit të Popullit, por se në të gjitha vendet e botës roli i Avokatit të Popullit është preventiv dhe jo represiv. “
Në pajtueshmëri me vendosshmërinë e Avokatit të Popullit në Maqedoni, i njëjti nuk bën kontrolle dhe mbikëqyrje të organeve, të nenin 2 të ligjit, respektivisht kontrollin dhe mbikëqyrjen e organeve e bëjnë trupa të tjerë të ndarë me ligje të veçanta. Në formë komperative nuk kemi parë vend ku avokati i popullit i ka këto kompetenca”, tha Biljana Brishkovska-Boshkovski, zv/ministre e Drejtësisë.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, tha se është e kotë kur Ombdusmanit i jepen të drejta ligjore për të kontrolluar punën e pushtetit, përderisa në praktikë nuk respektohen këto lidhje, aq më tepër kur edhe i pamundësohet puna duke mos i ndarë buxhet dhe kuadro të mjaftueshëm.
“Ne edhe tani kemi sistem të mirë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, por problem është zbatimi, problem është se si të zbatohet ajo që e kemi në letër, kjo pa mjete dhe pa resurse njerëzore nuk mund të zbatohet”, tha Ixhet Mehmeti, Avokat i popullit.
Nga opozita maqedonase këmbëngulin se puna e Avokatit të Popullit ka rol të parandalojë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe andaj kërkojnë që kjo t’i mundësohet duke e përfshirë edhe Kuvendin të veprojë në raste kur Ombdusmani raporton për raste të tilla, por këto sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, janë të panevojshme.