BESA: Teuta Arifi, për interesa të tjera, sakrifikon mësimin në gjuhën shqipe

Vendimi i kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, me përkrahjen e drejtorit të gjimnazit të Tetovës, Namikqemal Mustafa që në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës të punohet në tre turne, kjo si kërkesë e paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase – me arsyetimin që nxënësit maqedonas të jenë në një ndërrim pa paralelet me nxënës shqiptarë, është vendimi më skandaloz dhe mbase më i dëmshëm në historinë e gjimnazit dikur shumë të famshëm të Tetovës. Vetëm për t’ju krijuar komoditet nxënësve maqedonas, kryetarja e Komunës së bashku me drejtorin e gjimnazit po e shkatërrojnë gjimnazin më të suksesshëm në Maqedoninë veriperëndimore.

Puna në tre 3 turne nuk arrin efektin e duhur dhe cilësinë e kërkuar në procesin edukativo arsimor, ngase – sipas këtij vendimi – orët mësimore janë shkurtuar në 30 minuta, ndërsa brenda kësaj kohe mësimdhënësit nuk do të kenë mundësi të arrijnë ta realizojmë planin mësimor në tërësi.

Lëvizja BESA konsideron se me një veprim të këtillë me qëllim dhe me vetëdije të plotë po shkatërrohet procesi mësimor në gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinovic”, ndërsa të vetmit që duan ta ndjejnë dobinë e këtij vendimi janë nxënësit maqedonas, që nuk do të mësojnë bashkë me nxënësit shqiptarë në këtë shkollë. Ky vendim e imponon pyetjen se kujt i pengojnë nxënësit shqiptarë dhe a po fillon partia shqiptare në pushtet t’i ndajë nxënësit e shkollave në baza etnike? Siç jemi të informuar, kryetarja e Komunës së Tetovës e mori këtë vendim pasi që nxënësit maqedonas bashkë me profesorët e tyre, që janë vetëm 3 paralele, në fillim të vitit shkollor 2016/2017 përpara Komunës së Tetovës organizuan protesta me këtë kërkesë? A mos ka qenë edhe ky premtim, për segregacionin e nxënësve në baza etnike, çelës i fitores së saj në zgjedhjet e fundit lokale?

Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA këtë veprim të Komunës së Tetovës e gjykon si antiligjor, i cili do ta dëmtojë procesin arsimor në gjimnaz, me ç’rast do të humbin nxënësit shumicë të kësaj shkolle, por do të jetë rrënim serioz edhe i bashkekzistencës etnike në frymë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.

Për këtë arsye Lëvizja BESA qëndron në mbështetje të nxënësve dhe kuadrit mësimor shqiptar pranë këtij gjimnazi, të cilët kërkojnë që mësimi të realizohet sipas normave dhe standardeve bashkëkohore të procesit edukativo arsimor, andaj kërkon që sa më shpejt të tërhiqet ky vendim dhe procesi mësimor në gjimnaz të vazhdojë normalisht.

Lëvizja BESA

Departamenti i Arsimit dhe Shkencës


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu