Gjimnazi Kiril Pejçinoviq dhe Komuna e Tetovës e hedhin poshtë vendimin të cilin vetë e morrën ditë më parë për ndarjen e mësimeve në tre turne. Sipas vendimit nxënësit maqedonas do të mësonin ndaras nga ata shqiptarë, ndërsa i tërë procesi mësimor nuk do të zgjaste më shumë se 3 orë e 45 minuta. Në një vendim i cili shkaktoi reagime të shumta nëpër rrjetet sociale njoftoheshin profesorët dhe nxënësit për kohëzgjatjen dhe mënyrën e ndjekjes së mësimit:
“Lajmërohen nxënësit dhe profesorët se duke filluar nga data 07.09.2016, mësimi do të zhvillohet në tre turne dhe sipas këtij orari: Turni i parë nga ora 7 deri në orën 10:50, i dyti nga ora 11 deri në 14 :45 dhe i treti nga ora 15 deri në orën 18 e 45”, shkruante në njoftimin e drejtorisë së Gjimnazit të Tetovës.
Një ditë më pas, drejtuesit e gjimnazit mohojnë që lajmërimi të ketë qenë vendim i prerë, por thonë se njoftimi ka qenë vetëm një prej alternativave për zgjidhjen e problemit.
“Njoftimi ka qenë një prej alternativave, prej opsioneve por nuk është realizuar, dhe nuk ka pasur një gjë të tillë. Zgjedhja do ketë një rrjedhë pak më të gjatë pra do kërkohen zgjidhje tjera për vendosjen e nxënësve në paralelet maqedonase”, deklroi Namikqemal Mustafa, drejtor i gjimnazit të Tetovës.
Me këtë vendim nuk pajtohet këshilli i prindërve të nxënësve maqedonas, të cilët ankohen se fëmijët e tyre janë duke mësuar të ndarë në Universitetin e Punëtorëve ku kushtet janë tejet të këqija si dhe në shkollën Goce Dellçev bashkë me nxënësit e shkollave fillore.
“Thjesht, nëse nuk gjendet zgjidhje siç u dakorduam në atë mbledhje të gjerë nuk ka kushte që fëmijët të shkojnë diku në mësim dhe do duhet të rrinë para gjimnazit Kiril Pejçinoviq”, tha Tomisllav Stojanovski nga Këshilli i prindërve.
Kërkesa e nxënësve, prindërve dhe profesorëve të Gjimnazit të Tetovës me mësim në gjuhën maqedonase, është që të ndërtohet një objekt shtesë në gjimnazin aktual, në të kundërtën paralajmërojnë bojkotimin e mësimit.