Festat me armë, fillojnë incidente e para, Civil: Çdo plumb që shkon lartë, kthehet poshtë

Dyzetetetëvjeçari D.K., nga Struga, mbrëmë përderisa kishe qëndruar në oborrin e shtëpisë së tij është goditur nga një plumb që kthehej nga qielli. Nga ministria e punëve të brendshme njoftuan se personi në fjalë është dërguar në qendrën mjekësore në Strugë, ku është kryer intervenim kirurgjik, pas çka është liruar për mjekim shtëpiak. Ekipi i policëve ka dalë në vendngjarje dhe po punon në zbardhjen e rastit. Nga atje njoftojnë se kanë marrë masat e nevojshme preventive kundër këtij fenomeni.

“Të gjitha sektorët për punë të brendshme kanë filluar të kryejnë aktivitete parandaluese dhe këshilluese për të informuar qytetarët se përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike është e rrezikshme për sigurinë, shëndetin dhe jetën e njerëzve. Ministria e Brendshme gjithashtu përmes një numri njoftimesh informojnë se shitblerja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike, si dhe përdorimi i armëve të zjarrit, do të dënohen ashpër”, nga MPB.

Reaguan edhe nga qendra për liri “Civil”. Kryetari i kësaj qendre, Xhabir Deralla thotë se duhet të festohet pa armë dhe pa mjete piroteknike. Ai thotë se qytetarët duhet ta kenë parasysh faktin se plumbat mund të godasin dikë edhe kur të kthehen nga lartë.

“Gjuajtja për festë nënkupton gjuajtjen në ajër, por duhet të kihet parasysh një fakt shumë i thjeshtë, ajo është që plumbat ashtu siç shkojnë lartë, në një moment fillojnë të kthehen mbrapa dhe me shpejtësinë që merr gjatë kthimit, mund të jetë shumë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve, por edhe vdekjeprurëse, sidomos nëse në rrethinë ka fëmijë”, tha Xhabir Deralla.

Ministria e punëve të brendshme nuk kishte të dhëna rreth numrit të lënduar gjatë të kaluarës nga gjuajtjet nëpër festa.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu