(EKSKLUZIVE) Zbulohet mega-skandali i Bankës së Shqipërisë. Në 4 vite janë vjedhur 500 milionë euro

Prokuroria, tjetër hetim për Bankën Kombëtare Shqiptare.

Mbi 500 milionë euro dyshohet se është dëmi që i është shkaktuar bankës së shtetit në katër vite. Një audit i brendshëm, i kërkuar nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ka zbuluar një mega-skandal, i cili pritet të zbardhë skemën e vjedhjes së miliona lekëve që dalin nga banka qendrore për llogari të bankave të nivelit të dytë.

Në zyrat qendrore të Bankës së Shqipërisë ka mbërritur një shkresë zyrtare e grupit të hetimit, ku kërkohet informacion mbi transaksione monetare te bankat e nivelit të dytë për periudhën 2010-2014.

Sot, prokurorë të njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës kanë nisur sërish një hetim në lidhje me fatin e këtyre parave dhe të transaksioneve që janë bërë në emër të klientëve.

Duke u bazuar në ligjin për funksionimin e Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit bën kompensimin e bankave të nivelit të dytë në masën 80 % për shumat e parave që dalin nga qarkullimi. Duke iu referuar të dhënave paraprake hetimore, në raportin e auditit thuhet se kompensimi nuk është bërë në këtë masë të parashikuar nga ligji, por në masën 100%, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 500 milionë eurosh.

Prokurorët janë të rezervuar në informacion, por ata thonë se hetimi do të provojë nëse pjesë e kësaj skeme janë ish-guvernatori apo këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Çështja është në hetim dhe vetëm pasi të dokumentohen veprimet bankare do të thirren edhe dëshmitarët e parë.

Një gjë është e saktë, që në këtë hetim do të përfshihen dëshmitë e ish-guvernatorit Fullani dhe të atij që gëzon titullin guvernator i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Vetëm disa ditë pasi gjykata shpalli të pafajshëm Fullanin, i akuzuar për vjedhjen e 137 milionë eurove, guvernatori i sapoemëruar kërkoi nisjen e një gjykimi penal, duke kërkuar kthimin e parave të vjedhura nga të pandehurit e procesit gjyqësor.

Kjo padi u rrëzua nga trupi gjykues i çështjes, duke hapur një proces civil në Gjykatën e Faktit. /Blitz


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu