Historia e mbretit që nuk kishte fëmijë

Një nga mbretërit e Indisë shquhej për urtësinë dhe logjikën e shëndoshë. Edhe pse kishte vite që ishte martuar, ai nuk kishte fëmijë. Për disa kohë i konsideroi njerëzit e mbretërisë si fëmijët e tij, por një ditë, shejtani ia turbulloi mendjen me disa mendime të mbrapshta.

Ai urdhëroi ti silleshin në kuvendin e tij të gjithë njerëzit më të ditur të mbretërisë.
Pasi ndodhi ajo që kishte kërkuar dhe ishin grumbulluar të gjithë njerëzit më të ditur të Indisë, ai u tha:”Dua të më mundësoni të shoh Zotin me sytë e mi! Përndryshe u vrava të gjithëve!”

Njerëzit në kuvend panë njëri-tjetrin në sy të shastisur nga ajo që u dëgjuan veshët dhe më i mençuri prej tyre i tha:”Mirë lartmadhëri, por na jep katër ditë kohë ta pleqërojmë këtë çështje!”
Pasi mbreti pranoi, të gjithë dolën prej pallatit mbretëror, vajtën tek shtëpitë e tyre, çuan në vend amanetet që kishin marrë dhe pasi u ndanë me fëmijët e familjarët, morën rrugën e kthimit për tek mbreti, për tu ekzekutuar. E kush e kishte në dorë ti mundësojë mbretit të shohë Zotin me sytë e ballit?! Teksa ktheheshin tok, të mërzitur, pa fjalë e të dëshpëruar pambarimmisht, u takuan me Shibanin, një çoban i varfër, por mjaft i ditur dhe plot urtësi. Ai i përkiste asaj shtrese njerëzish të cilët e ndjenin prezencën e Zotit në çdo çast dhe për këtë, Zoti i kishte falur urtësi të pashembëllt.

Shibani, duke i parë turivarur e të mërzitur në kulm, i përshëndeti dhe u tha:”Çfarë keni kështu?! Përse jeni kaq të mërzitur sikur po shkoni drejt vdekjes?!”
Ata i treguan hallin.
Pasi i dëgjoi, Shibani u tha:”Mirë se nuk qenka ndonjë gjë e madhe. Më merrni dhe mua me vete se unë e di çfarë xhevapi ti jap lartmadhërisë së tij!”
Të diturit e panë me dyshim dhe e pyetën:”Ti Shiban do të na shpëtosh?!”
Ai u përgjigj:”Po.”
Të gjithë shkuan tek mbreti dhe më të dalë para tij, Shibani e pyeti:”Lartmadhëria juaj! A s’më thoni, çfarë dëshironi?”
– Mbreti iu përgjigj:”Dua të shoh Zotin me sytë e mi të ballit!”
Shibani i foli:”Lartmadhëri! Pa hidhia sytë diellit!”
– Mbreti doli në ballkon dhe ia hodhi sytë diellit, por shumë shpejt e largoi shikimin nga drita e fortë.
Shiban i tha:”Lartmadhëria juaj! As dritën e një krijese të dobët të Zotit nuk e shihni ndot. Si kërkoni të shihni vetë Krijuesin e kësaj drite?!”
– Mbreti uli kokën dhe tha:”Po, ke të drejtë o Shiban!”.
Shibani shtoi:”Lartmadhëria juaj! A më thoni si ua quajnë djalin?”
– Mbreti hapi sytë dhe i tha:”Çfarë?! Mos je shushatur gjë?! E gjithë bota e di se nuk kam fëmijë! E nëse nuk kam fëmijë, si ti vë emër dikujt që se kam?!”
Shiban i tha:”Lartadhëri! A nuk më thoni, si janë pajtuar të gjithë njerëzit, zemrat dhe gjuhët e tyre për ta quajtur Krijuesin e tyre dhe të gjithçkaje Zot?! Si mund ti vënë emrin dikujt që nuk ekziston?!”
– Mbreti i tha:”Të vërtetën ke thënë o Shiban! Por, a nuk më thua, çfarë ekzistonte para Zotit o Shiban?”
Shiban e pyeti:”Dëshiron të dish kush ekzistonte para Zotit lartmadhëri?!
“Po” u përgjigj mbreti.
Shiban i tha:”Më numëro nga treshi deri tek njëshi lartmadhëri.
Pasi mbreti ndaloi tek njëshi, Shiban e pyeti:”Çfarë është pas njëshit lartmadhëri?”
– Mbreti u përgjigj:”Asgjë!”
Shiban shtoi:”Iu përgjigje pyetjes tënde lartmadhëri!”
– Mbreti i tha:”Po, ke të drejtë, por më thuaj ku është Zoti?”
Shiban u ngrit dhe pasi mori një tenxhere me qumësht erdhi përsëri dhe i tha mbretit:”Lartmadhëri! Më thoni, a ka gjalp në këtë qumësht?”
– Mbreti tha:”Po, sigurisht!”
Shiban shtoi:”Pa ma trego, ku është gjalpi?”
– Mbreti u përgjigj:”I tretur në të gjithë qumështin!”
Shiban i tha:”Edhe Zoti lartmadhëri, është në të gjithë universin dhe gjithësinë!”
– Mbreti pyeti:”Cili është funksioni i Zotit?”
Shiban u mendua pak dhe i tha:”Lartmadhëri! Që ti përgjigjem kësaj pyetjeje, më duhet të vesh veshjen tënde mbretërore dhe të veshësh veshjen time të çobanit!”
– Mbreti u rrudh pak, megjithatë i tha:”Po, dakord jam.”
Pasi Shibani veshi veshjen e mbretit dhe ky i fundit veshjen e çobanit, Shibani u ul mbi fronin mbretëror dhe i tha:”Funksioni i Zotit është që të lartësojë kë të dojë dhe të poshtërojë kë të dojë. Zoti më lartësoi mua çobanin dhe më bëri mbret, e të poshtëroi ty mbretin e të bëri çoban!”
– Mbreti qeshi me të madhe dhe në atë kuvend, shfaqi pendesë për kërkesën e tij të çuditshme dhe e shpërbleu Shibanin.

Nga: Elmaz Fida


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu