Rilindja Demokratike Kombëtare reagon ashpër rreth tentimit të shtetit për të filluar të mbledh haraçin nëpërmes Drejtorisë së të Hyrave Publike duke publikuar listën e gati 5% të popullatës së shtetit, të gjith persona fizik, që u është shqiptuar vendimi për bllokim të xhirollogarive.
Bllokimi i 85 mijë xhirollogarive të personave fizik për mospagesën e taksës radiodifuzive është një çmenduri e paparë dhe kërkon reagim urgjent, sidomos nga ana e Avokatit të Popullit, në mbrojtje të popullatës që janë duke u rrjepur nga ana e organeve të shtetit. Pafuqia e shtetit për të siguruar fonde për Radio Televizionin e Maqedonisë nuk mund të paguhet nga ana e popullatës së ngratë që edhe ashtu jeton në kushte mizore.
Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se bllokimi i xhirollogarive të 5% të popullatës është antiligjore dhe Avokati i Popullit, sëbashku me organizata tjerra, duhet urgjentisht të dalin në mbrojtje të popullatës. Shteti, duke luajtur rolin e mbrojtësit të pakompromistë të Radio Televizionit të Maqedonisë, në emër të popullit detyron njerëzit të paguajnë taksë radiodifuzive, edhe pse një pjesë e madhe e njerëzve nuk gjenden fare në shtëpitë e tyre.
Një pjesë e madhe e mërgimtarëve detyrohen të paguajnë taksë radiodifuzive, dhe u bllokohen xhirollogaritë, edhe pse ata me vite nuk qëndrojnë në vendlindje. Në të njëjtën kohë, përshkak të mosazhurimit të të dhënave, Drejtoria e të Hyrave Publike sjell vendim për pagesë të taksës dhe bllokim të xhirollogarive edhe për njerëz që kanë ndru jetë para shumë vitesh. Gjithashtu Drejtoria e të Hyrave Publike detyrojn të paguajnë taksën Radio Difuzive dhe bllokon xhirollogarite e më tepër anëtarëve të një familjeje.
Detyrimi të paguajsh një taksë për një shërbim që një pjesë e madhe e popullatës nuk e shfrytëzon asnjëherë këtë shërbim, mund të intepretohet vetëm si komunizëm nga ana e shtetit duke tentuar të mbledh haraçin, dhe e gjitha në kurriz të popullatës. Për këtë arsye, Avokati i Popullit, sëbashku me organizatat tjerra, duhet urgjentisht të dalin në mbrojtje të popullatës, dhe jo të mbrojnë shtetin për pafuqinë e tyre për të siguruar fonde për Radio Televizionin e Maqedonisë.