Përballë Kuvendit të Maqedonisë u protestua kundër dygjuhësisë dhe shqiptarizimit të vendit, siç thanë organizatorët. Ata akuzuan deputetët dhe përfaqësuesit e Qeverisë se me miratimin e Ligjit për Gjuhët po e shesin Maqedoninë, emrin, identitetin dhe gjuhën.
Organizatori i protestës, i cili nuk pranoi të tregojë identitetin e tij, lexoi para protestuesve emrat e 43 deputetëve maqedonas që kanë votuar pro ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjatë protestës një pjesë e demonstruesve kanë djegur flamurin e Bashkimit Evropian.
“Kësaj liste duhet t’i shtohen edhe të gjithë emrat e politikanëve maqedonas të cilët momentalisht kanë shprehur gatishmëri për ndryshimin e emrit tonë kushtetues dhe shekullor. A do të lejojmë të na fshijnë? A do të lejojmë të na bëjnë gjenocid? Çfarë duhet të bëjmë? Dua që një milion maqedonas t’i shoh në rrugë. Kjo nuk është pak, por nuk është e mjaftueshme”, tha organizatori i protestës.
Edhe sikur gjithë pasurinë e vendit ta kem, nëse e humbas atdheun unë jam një asgjë. Një boshllëk pa emër dhe identitet. Çfarë të duhet atdheu kur s’din ta duash. Lufta nuk bëhet vetëm me armë ,lufta bëhet edhe me marrëveshje dhe bisedime në tavolina apo në tryeza të rrumbullakëta ku tani po shitet Maqedonia”, thotë një protestues tjetër.
Protesta u organizua nga organizata e ashtuquajtur “Të palëkundurit” si dhe organizata “Vdekje a Liri për Maqedoninë ”.
Përveç revoltës kundër gjuhës shqipe, protestuesit kanë firmosur edhe një peticionin kundër ndërrimit të emrit Kushtetues. Protestat kundër shqipes u riaktualizuan që nga hyrja në procedurë kuvendore të Ligjit për Gjuhët me kërkesën që të hiqet dorë nga siç theksojnë ata zyrtarizimit të gjuhës shqipe në qytetet me shumicë maqedonase.