Prokuroria Publike e Shkupit edhe më tej po zhvillon hetimet pse ka kryer vetëvrasje Kosta Kërpaç, personi i cili ishte dëshmitari i Prokurorisë Speciale e më pas njëri prej personave të falur nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.
Sipas përgjigjes të cilën e mori Alsat-M nga institucioni i Marko Zvërlevskit, kanë përfunduar thuajse të gjitha ekspertizat.
Por edhe më tej, Prokuroria Publike këmbëngul të merr dëshmi nga Specialja e cila pohonte se dëshmitari i tyre Kosta Kërpaç ka qenë nën presion. Për këtë, nga institucioni i Zvërlevskit kanë dërguar edhe urgjencë deri tek Katica Janeva. “Është e domosdoshme të theksojmë se nga Prokuroria Publike për ndjekjen e veprave penale të cilat dalin nga ndjekja joligjore e komunikimeve dhe pas urgjencës së përsëritur, nuk është dorëzuar asnjë dëshmi e as informacion tjetër relevant në këtë drejtim”, tha Prokuroria Themelore Publike- Shkup./infoshqip.com