Tito në Mitrovicë: Çfarë raportonte tek Enveri

Politikani Esat Myftari, në një libër mbi raportimet e diplomatëve në diktaturë, botimet “Princi”, në vende të ndryshme të botës, duke u fokusuar sidomos në raportimet sekrete të atyre që vinin nga Kosova. Emra, ngjarje dhe fakte të panjohura që dalin nga Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Më poshtë, pjesë nga libri i Myftarit, kapitulli i tretë, “Dritëhijet e marrëdhanieve Shqipni-Kosovë”

Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981, që lidhen me raportet e ish-Jugosllavisë me Shqipërinë deri tani kanë njohur interpretime nga më të ndryshmet. Për këtë arsye politikani e diplomati, Esat Myftari tregon se nisi punën për librin e tij Kosova dhe Enver Hoxha, sjellë përmes dokumenteve arkivore të pabotuara deri më sot. Myftari ka shfrytëzuar dosjet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në këto dokumente shprehet se ka gjetur ngjarje, zhvillime politike e kulturore, emra njerëzish të njohur personalisht ose të dëgjuar, të cilët lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi, që përmbanin motivin dhe objektivin e raportimeve të diplomatëve shqiptarë, sidomos të atyre të akredituar në Beograd, Vjenë, Ankara, Stamboll e Paris. Sigurisht disa emra që përmenden sot nuk janë gjallë.

“Dokumentet që janë shfrytëzuar për këtë libër janë kryesisht raportimet e diplomatëve tanë, por të shkruara në sfondin e përvojës dhe vëzhgimeve vetjake përgjatë gjysmë shekulli si ‘emigrant kosovar’. Duhet pasur parasysh se raportimet janë bërë prej diplomatëve tanë ideologjikë, me hapësinë fort të ngushtueme manovrimi a nisme vetjake. Por gjaja tjetër që bie më shumë në sy e që të befason megjithatë për mirë, asht përmbajtja e këtyne raportimeve: Në to nuk ka aq fanatizëm ideologjik sa kisha kujtue, madje herë-herë ka nji shqetësim atdhetar e objektiv të pasqyruem për veshin e eprorëve të tyne. E në këtë pikë, ata janë të zotë e të ftohtë. Sidoqoftë, për shkak të vendeve ku shërbenin dhe natyrës së kontakteve të tyne njerëzore, përzgjedhja e diplomatëve tanë ka pasë nji karakter specifik: Atje qenë emnue, sidomos në momente delikate, përgjithësisht njerëz që kishin shërbye në organet sekrete shqiptare, e që e njihnin nga afër problemin shqiptar dhe strukturën e gjallë të saj” thotë Myftari në parathënie. Në këtë frymë e praktikë të njohur vendin më të spikatur e zinte nomenklatura shqiptare e Kosovës, ku autori përmend disa anëtarë të saj, si: Fadil Hoxha, Ali Shuria, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ismet Shaqiri, të cilët kishin dalë nga lufta, por edhe të shkolluar në Shqipëri që kishin njohje personale apo miqësi me diktatorin.

***

Ky grup kishte përfshi intelektualë të njohun serbë dhe nji pjesë të mirë të profesoratit të Beogradit. Dueli filloi qysh ditën e mbërritjes së Titos në Mitrovicë. Atje ai u prit me përzemërsi të madhe prej Veli Devës. Tito, madje, e puthi. Por nji shenjë e tillë simpatie publike i tërboi serbët. Aq ma fort kur në të gjitha fjalimet e tij, Tito nuk tha pothuaj asnjë fjalë të mirë në adresë të udhëheqjes së Serbisë, përkundrazi në forma të ndryshme i dënoi prirjet shoviniste të shtetit të madh (çka nënkuptonte Serbinë).

Si kundërpërgjigje, në njoftimet e ditës së parë të mbërritjes së tij në Mitrovicë, televizioni qendror nuk e përmendi fare faktin se Titon e shoqnonte Fadil Hoxha, kurse gazeta “Borba” e 15 prillit, organ i afërt me partinë, dha vetëm njoftim mbi mbledhjen e aktivit politik të Kosovës. Të nesërmen, si “Borba” ashtu dhe “Politika”, botuen shkurt fjalimin e Titos në këtë aktiv, po atë tekst që e kishte dhanë edhe Tanjugu. Ishte hera e parë që shtypi qendror dhe ai serb i banin nji obstruksion të tillë të qartë, të premë e pa pikë rezerve. Lanë po kështu në heshtje edhe fjalën e tij mbi marrëdhaniet e Jugosllavisë me vendet e tjera, për të cilat thuhej se Tito kishte folë gjatë. E gjithë kjo u komentue si guxim i tepruem. Dhe paradoksi ishte ky: kundërshtimi i vinte mu prej liberalëve, të cilët kishin qenë ma dashamirës ndaj reformave kushtetuese se sa të gjitha rrymat e tjera serbe, të kohës ose të traditës. Por, me sa dukej, mospajtimet e tyne rreth Maspokut – Nikeziqi (kryeministri serb) nuk u ba pjesë e korit kundër kësaj lëvizjeje – qenë thellue shumë e s’kishte ma kthim mbrapa as midis tyne. Por kulmi i qëndrimit anmiqësor të shtypit serb arriti kur “Politika”, për mbledhjen e aktivit politik të krahinës, botoi pjesë të shkurta të diskutimeve kryesore të mbledhjes, ndërsa nga ana tjetër i dha vend të rëndësishëm diskutimit të anëtarit të këshillit federativ Pavël Zaviçeviç, i cili në fjalimin e tij theksoi me të madhe rrezikun që u vjen serbëve në Kosovë prej shqiptarëve, “duke vënë gjithashtu pjesë edhe nga diskutimi i Katerina Paternogiqit, që e hidhte poshtë si pa bazë një argument të tillë”.

Përqendrimi i Titos gjatë kësaj vizite në çështjet ekonomike mund të merrej edhe si nji taktikë, sepse ai kishte nji arsye të fshehtë që të vepronte kështu. Së shpejti do të mbahej plenumi i ri në Brione, ku do të merreshin vendime me peshë, ndaj nuk donte të konsumohej e të ngjallte zhurma të parakohshme. Ai u mjaftue për publikun me fjalët: “krahina ka parashtruar disa kërkesa të inkuadruara në amendamentet konstitucionale në diskutim dhe premtoi se këto kërkesa do të diskutohen midis komunistëve kur ai të kthehej në Beograd”. E vetmja pikë, ku ai nxori dhambët në mënyrën e tij karakteristike, ishte sfera ekonomiko-morale.

Ambasadorit ynë, Lika, njoftonte: “Nga sa u njoftua në televizion dhe nga sa u botua në shtyp, të tërheq vëmendjen fakti se Tito kritikoi pa emër kuadro kryesore që drejtojnë ekonominë e vendit dhe paralajmëroi se do të merren masa ndaj tyre. Theksoi se edhe në të kaluarën siç është fjala në kongresin e sindikatave më 1968, ose në prag të kongresit të 9 të LSJ më 1969, ai bëri paralajmërime të tilla dhe në fakt u morën një seri masash duke larguar nga postet kryesore mjaft persona të ndryshëm”.

Dhe vërtet, këto paralajmërime i ktheu në realitet në mënyrë të qetë e larg syve kureshtarë e mjeteve jo korrekte, në vendin e tij të parapëlqyem, aty ku detronizoheshin kundërshtarët e tij politikë, në Brione. Syrja Pupovci, dekan i fakultetit juridik të UP, autoritet shkencor po edhe njeri i strukturave partiake qysh në rininë e tij në Beograd, i cili kishte fillue të mbahej afër me simpati edhe prej strukturave ma të nalta të shtetit shqiptar (fillimisht qe pritë me rezerva politike, por shumë shpejt u gjet gjuha e përbashkët me të), gjatë qëndrimit të tij për pushime në Shqipni, në nji bisedë konfidenciale me Sofokli Lazrin, kryecensorin e Ramiz Alisë në MPJ, do të bajë spjegimet e maposhtme:

“Ndryshimet e kushtetutës u bënë me miratimin e Titos. Ato u diskutuan në Brione për një muaj rresht dhe krejt të izoluar nga bota e jashtme me pjesëmarrjen e dy-tre përfaqësuesve nga republikat e krahinat. Nga Kosova ishin Fadil Hoxha e Iljaz Kurteshi, kryetar i parlamentit të Kosovës. Debatet më të ashpra u zhvilluan në trekëndëshin Serbi-Kroaci-Kosovë. Kërkesat e shqiptarëve u pranuan pothuaj 95%.

Menjëherë pas mbledhjes serbët filluan t’i kundërshtojnë haptas ndryshimet duke thënë se mbledhja e Brioneve nuk ishte kompetente të vendoste për një gjë të tillë. Për ta rrëzuar këtë argument Titua thirri byronë dhe kryesinë e LKJ-së ku u diskutuan e aprovuan edhe një herë tjetër amendamentet. Por edhe pas marrjes së formës zyrtare, serbët nuk i lëshuan armët.

Duke e kujtuar si frontin më të dobët, sulmin ata e përqendruan kundër Kosovës, d.m.th., autonomisë dhe të drejtave të reja të saj të parapara në amendamente.

Por udhëheqja serbe u gjet përpara dy të papriturave. E para, kundër saj u ngritën me një forcë të paparashikuar i gjithë opinioni publik i Kosovës. Në këtë rast pati edhe një unitet të plotë midis udhëheqësve, rinisë e popullit. Dhe ata që qëndronin neutralë, bile edhe oportunistët, u patriotizuan. Jo vetëm midis shqiptarëve, por edhe serbët e vendit nuk guxojnë të dalin kundër korrentit.

Kosova i bëri ballë me sukses sulmit serb edhe në fushën e polemikës juridike, ku serbët mendonin se do të dominonin plotësisht.

E dyta, kroatët e kuptuan se sulmi kundër autonomisë së Kosovës ishte fillimi i sulmit të përgjithshëm serb kundër gjithë amendamenteve. Si të tillë ata edhe e demaskuan. Ky konflikt doli haptas në polemikën publike të Tripallos me udhëheqjen e Serbisë.

Në mbrojtjen e amendamenteve kosovarët kanë në krah, bile, edhe nxitjen e Titos…

Maqedonia i përkrah gjithashtu kërkesat e kosovarëve, sigurisht, jo në masën dhe me forcën e kroatëve. Krste Crvenkovski në mënyrë demonstrative i është afruar Fadil Hoxhës dhe e thekson miqësinë me të. Maqedonasit i përkrahin kosovarët tani, për të marrë më vonë si shpërblim nga ata, mosndërhyrjen, ose më mirë mosnxitjen e dëshirave të shqiptarëve të Maqedonisë për t’u bashkuar me Kosovën. Nga ana tjetër, qëndrimi i shqiptarëve në grindjen maqedono-bullgare është shumë i rëndësishëm. Crvenkovski don të tregohet luajal në situatën e tashme me shpresë se shqiptarët miqësinë do ta paguajnë me miqësi…”. Edhe për Kol Mirditorin, gazetar i “Rilindjes”, synimi i Titos gjatë kësaj vizite ishte të forconte pozitat e udhëheqësve shqiptarë në Kosovë dhe në Jugosllavi dhe indirekt “u del përpara rezistencës që bënë udhëheqja serbe për dhënien e sa më shumë të drejtave Kosovës”.

Kundërsulmi serb, Disfata e re serbe në Brione u ba shkak i nji kundërsulmi të ri të Beogradit ndaj Prishtinës. Përgatitja e fushatës iu besue shtypit qendror, në veçanti gazetave serbo-centriste “NIN”, “Politika” dhe “Veçerni Novosti” që kishin përvojë të gjatë në këtë drejtim.

Universiteti i Prishtinës tashma qe cilësue si “vatër e irredentizmit shqiptar” ndaj goditja e parë duhej përqendrue pikërisht aty. Ndonëse i ri, ky universitet kishte rreth 12.500 studentë dhe ritmi i shtimit të tyne ishte shumë shqetësues për serbët: vetëm në këtë vit qenë regjistrue 3.500 sish të të gjitha kategorive. Aty po derdheshin edhe studentë shqiptarë nga Maqedonia e Mali i Zi, tue dhanë kështu prova të nji lëvizjeje mbrendashqiptare që kapërcente kufijtë e padrejtë të vizatuem në AVNOJ e ma vonë dhe po paralajmëronte nji zhvillim e frymëzim unik shqiptar.

Argumenti kryesor i Beogradit zyrtar ishte ky: të inkurajuem nga amendamentët e reja dhe sidomos nga parimi i çelësit kombëtar, shqiptarët po tregoheshin shpërfillës e agresivë me majorizimin e përdorun abuzivisht si mjet ligjor për shtypjen e pakicës serbe. Ky përpunim opinioni shpërtheu pikërisht në momentin kur po zgjidheshin organet drejtuese të universitetit, që duhej të përbahej prej dy shqiptarëve dhe nji malazezi. Dhe kjo formulë sigurisht që pasqyronte strukturën kombëtare të punonjësve, studentëve dhe popullsisë së Kosovës.

Në raportin e tij, i ngarkuemi me punë, Dhimitër Lamani shkruen tue iu referue “Rilindjes” së datës 4 nandor 1971: “Në mbledhjen e këshillit pedagogjik të universitetit, kur po diskutohej kandidatura e rektorit Dervish Rozhaja dhe dy zëvendësve të tij – Syrja Pupovci dhe Vera Ivanova, dhjetë pedagogë të këtij universiteti, të shoqëruar më vonë edhe nga rreth 100 studentë serbë e malazezë, u larguan në mënyrë demonstrative. Tezën e tij të njohur të “majorizimit”, Brashkoviq e përdori haptazi duke deklaruar se “aplikimi i strukturës nacionale të popullsisë së krahinës me rastin e zgjedhjes të organeve udhëheqëse në universitet, do të thotë legalizim i shumicës ndaj pakicës”.

Në të vërtetë, realiteti fliste me gjuhë tjetër. Jo vetëm që nuk kishte majorizim, por përkundrazi, shkaku i trashigimisë diskriminuese, shqiptarët ende nuk ishin në gjendje të realizonin nji të drejtë të fitueme tashma në mënyrë kushtetuese. Pjesa ma e madhe e pedagogëve nga 260 gjithsej, ende ishin të kombësisë serbo-malazeze dhe nga 1600 konviktorë, 40 për qind ishin serbë e malazezë. Në vetë fakultetin filozofik, ku ishte vatra e këtij rebelimi, nga 12 katedrat e tij, tetë prej tyne ishin në gjuhën serbo-kroate dhe vetëm 4 në gjuhën shqipe, vazhdon në raportin e tij ambasadori.

Veprimet arrogante të studentëve serbë shkaktuen edhe përleshje mbi baza etnike. Ishte vetëm ndërhymja e pedagogëve shqiptarë ajo që mënjanoi nji konflikt të vërtetë midis tyne e me pasoja të randa. Veç kësaj, e gjithë kjo veprimtari ishte llogaritë që të përputhej në kohë me demonstrimet e studentëve në Zagreb në mënyrë që të “vihej në pah” bashkëpunimi i nacionalistëve shqiptaro-kroatë dhe për këtë qëllim merrej si “provë” thirrja që studentët e Zagrebit i kishin drejtue për përkrahje studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Në të gjithë këtë fushatë, sidomos mbas ngjarjeve në Kroaci dhe fjalimeve të Titos në mbledhjet e Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, shpërtheu nji luftë mbrenda strukturave partiake, ku Latinka Peroviq pati rastin me zbrazë gjithë vnerin e saj shovinist ndaj shqiptarëve të Kosovës. Si kundërpërgjigje pati nji vetorganizim të pedagogëve e studentëve shqiptarë. Në fakultete e konvikte qe vendos dezhurni për të parandalue çdo aksion të mundshëm të studentëve serbë. Kërkesat e këtyne të fundit kishin qenë vërtet provokuese. Ata donin krijimin e fakulteteve të ndame mbi baza etnike, kërkesë që binte ndesh jo vetëm me ligjet në fuqi, por edhe me përpjekjet korente politike në Jugosllavi..

Ndërkaq, në lojë u fut dhe rektorati i Beogradit, i cili, sikurse informon Adil Begolli, e thirri rektorin e UP, Dervish Rozhajën për t’i dhanë njoftimin shantazhues se: “…pedagogët e Beogradit nuk do të vinë më në Prishtinë për dhënie mësimi. Në rast se nuk do të vinë nga Beogradi, është përgjigjur Dervishi, do kërkojmë të vinë nga Kroacia ose Sllovenia. Për sa iu përket pedagogëve të Tiranës, ata po vijnë sipas marrëveshjes që kemi arritur. Ka zëra, tha Adili, se serbët të pakënaqur nga humbja e privilegjeve të tyre në Kosovë, prezencën e pedagogëve të USHT-së e kanë bërë problem para Titos duke akuzuar se këta merren me gjëra të tjera.”

I trembun nga ndonji bashkërendim trysnie – sidomos mbas disa lëkundjeve të Titos – Fadili nga ana e tij po i shpeshtonte bisedat private me intelektualët e gazetarët tue i porositë që të jenë të rezervuem, sepse dukej qartë se koha po punonte për shqiptarët.

Takimi F. Hoxha-L. Seiti

Mbas disa përpjekjesh të dështueme për me hy në bisedime të improvizueme nëpër pritje përfaqësish, Lika me Fadilin ma në fund ranë n’ujdi që të rregullojnë nji takim të mirëfilltë për këmbim mendimesh.

Fillimisht Fadili sugjeroi që në takim të merrte pjesë edhe Stane Dollanc, por Lika e refuzoi. Nga Tirana i thanë se Dollanci kishte funksione partiake, ndaj takimi me të mund të keqkuptohej si afrim partiak midis tyne. Pala jugosllave e pranoi arsyetimin shqiptar, madje Fadili e tregoi shkakun e parapëlqimit që ishte krejt “njerëzor” dhe se nuk implikonte në asnji mënyrë partitë respektive. Si përfundim, Fadili shkoi i vetëm. Dreka u la për t’u ngranë në nji restorant nja 30 km jashtë Beogradit. Ministri Nase ishte ndër ma të interesuemit për nji takim të tillë sepse supozohej se do hapeshin disa letra e do njiheshin ma mirë shqetësimet e njeni-tjetrit. Ky ishte takimi i parë në linjë ministrie me Fadilin dhe asht e kuptueshme se rrjedha e bisedës kishte randësi të veçantë. U porosit gjithashtu që të ishte i qartë e të fliste me za plotësisht të kapshëm, sepse me siguri do të ishte i përgjuem me aparaturë të instalueme nën tavolinë (s’ka dyshim se nisej nga praktika e përgjithshme).

Ministri i çoi Likës edhe këtë udhëzim, që lidhej specifikisht me Fadilin: “… Të kesh kujdes që të mos besosh asgjë nga ato që do të thotë ai, por në të gjitha rastet si diplomat të jesh gjakftohtë dhe i sjellshëm se ai është shqiptar por është edhe titist dhe kosovar me ndjenja nacionaliste dhe ne mbajmë lidhje me atë. Afrimi mund të jetë edhe i sinqertë, sidoqoftë ne duhet të ruhemi, të jemi brenda. Koha do e vërtetojë.”

Qysh në shprehjet e para u kuptue se Fadili kishte ardhë me mesazhe qeveritare shumë pozitive, ndaj preku momente të pëlqyeshme për Enverin dhe u rrek të dukej sikur po vazhdonin nji bisedë të ndërpreme shumë kohë ma parë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu