Shkrimtari dhe publicisti, Kim Mehmeti, i ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, përmes një statusi në rrjetin e tij zyrtar në Facebook.
“E çon ujin në mullirin e BDI-së dhe i demoralizon votuesit shqiptarë, debati i sforcuar lidhur me bashkëveprimin mes partive opozitare shqiptare (e që kryesisht ka për qëllim bashkëpunimin mes disa kryesuesve karrieristë të partive opozitare shqiptare, mes atyre që duan me çdo kusht të bëhen deputetë, apo të mbeten kryetarë komunash), njësoj siç e çon ujin në mullirin e LSDM-së, qëndrimi i disa shqiptarëve, se nuk vlen gjë opozita shqiptare, pa bërë koalicion parazgjedhorë me këtë parti maqedonase ( e ku kryesisht mendohet për bashkëveprimin parazgjedhor mes Lëvizjes Besa dhe LSDM-së). Andaj edhe është nga pakë neveritëse kur e sheh të ketë shqiptarë që thonë se, s’është opozitarizëm i frytshëm shqiptar ai që nuk e mbështet LSDM-në maqedonase, por nuk dëgjon as një maqedonas të vetëm ta thotë, për shembull, se nuk vlen gjë opozita maqedonase, që nuk e përkrahë dhe që nuk e mbështet konceptin politik të Lëvizjes Besa! E në ndërkohë, thuajse askush nuk e thotë të vërtetën e madhe se për Maqedoninë dhe për shqiptarët e këtushëm, u tregua thuajse shkatërrimtarë koalicioni qeveritar mes dy partive etnike fituese të zgjedhjeve parlamentare (mes DPMNE-së dhe BDI-së) dhe andaj, duhet përkrahur konceptin, i cili mbase do mundë ta stabilizonte Maqedoninë dhe t’i harmonizonte marrëdhëniet ndëretnike: që në të ardhmen, shteti të drejtohet nga një koalicion i zgjeruar qeveritar, i përbërë nga gjitha partitë që do kenë grupe parlamentare?! Dhe gjithashtu, askush nuk e shpalosë dukurinë që ka të bëjë thuajse me të gjitha partitë maqedonase: me përbërjen e tyre nga dy rryma – nga ajo që beson se nuk ka Maqedoni pa bashkëpunuar me ‘vëllain’ e madh serb dhe nga tjetra, që vlerëson se, Maqedonia duhet të mbështetet vetëm në përkrahjen e ‘kushërinjve’ bullgarë! Në ndërkohë pra, askush nuk merret me të vërtetën se thuajse të gjitha elitat e sotme politike maqedonase, nuk e kanë as vullnetin dhe as guximin politik, që të përballen me atë që qysh para më shumë se 100 viteve, e kanë thënë dhe e kanë pranuar shumë nga ‘revolucionarët’ e dikurshëm maqedonas: se nuk mund të ketë Maqedoni, pa bashkëpunuar me shqiptarët dhe, pa mbështetjen e shqiptarëve!”, ka shkruar Kim Mehmeti.