Bashkimi i opozitës shqiptare në Maqedoni, nisin kontaktet

Partitë e reja shqiptare kanë filluar kontaktet me njëra tjetrën dhe janë të gatshme për koalicione parazgjedhore. Kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, tha se Aleanca për shqiptarët dhe partia e Vesel Memetit, do të vazhdojnë bashkëpunimin i cili ka mundësi që të zgjerohet edhe me parti tjera.

“Ne si subjekt politik kemi bërë një koalicion me RDK-në dhe këtë koalicion nuk e kemi bërë për ta prish por e kemi bërë për të hyrë në zgjedhje bashkë si Aleancë për shqiptarët. Prandaj ne në zgjedhje do të hymë në koalicion bashkë me RDK-në, edhe me subjektet tjera të cilat janë të interesuara për sjelljen e ndryshimit të cilin e presin të gjithë qytetarët shqiptarë”, deklaroi kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela.

Që koalicioni do të zgjasë, konfirmojnë edhe nga RDK-ja. Por sipas tyre, ai është i mjaftueshëm vetëm mes dy partive.

“RDK-ja që nga qershori i vitit të kaluar ka krijuar një koalicion me LR PDSH të quajtur Aleanca për Shqiptarët dhe këtij koalicioni i qëndron besnik 100%. Ne i qëndrojmë besnik koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe ky koalicion është i mjaftueshëm për të qenë faktor i rëndësishëm në skenën politike në vend”, thanë nga RDK-ja.

Afrim Gashi nga Lëvizja BESA vlerëson se bashkëpunimi mes partive të reja politike, e bën më të lehtë luftën ndaj pushtetit aktual.

“Që prej themelimit, kemi dashur që një të keqe më të madhe siç është BDI-ja ta luftojmë bashkërisht dhe të krijojmë njëfarë sigurie më të madhe te votuesit shqiptarë se janë më shumë subjekte dhe fitohet më lehtë kjo. Pra, në parim ne jemi për bashkëpunim dhe jemi të hapur me të gjitha partitë për të biseduar dhe jemi në një proces të atillë”, u shpreh Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.

Partia për Prosperitet Demokratik e sheh si të domosdoshme homogjenizimin e opozitës.

“Vlerësojmë se dalja në zgjedhje është hap i duhur me qëllim që të ndërrohet pushteti e pastaj të fillohet me rindërtimin e Institucioneve shtetërore. Meqenëse pothuajse e tërë opozita vlerëson se normalizim të aparatit shtetëror dhe Shoqërisë në përgjithësi mund të këtë vetëm pasi keqpërdoruesit e pushtetit të përgjigjen para Ligjit, vlerësojmë se është i domosdoshëm homogjenizim sa më i madh i Opozitës”, deklaruan nga PPD.

Nga Uniteti shprehen të gatshëm për bashkëpunim me secilën parti, duke përjashtuar vetëm BDI-në dhe PDSH-në.

“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje. Megjithëse është herët të flitet për koalicione, ne jemi të gatshëm për një bashkëpunim me të gjithë partitë jashtëparlamentare por jo edhe me BDI-në dhe PDSH-në”, thanë nga UNITETI.

Sipas partive të reja shqiptare, kushtet për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk janë plotësuar megjithatë ato shprehen të gatshme për pjesëmarrjen në votime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu