Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa ka demantuar kategorikisht thashethëmet që po qarkullojnë në disa media, ku shkruhet kinse ka përçarje brenda siç e quajnë “krahut së Shkupit”.
Ai për InfoShqip sqaroi se Lëvizja Besa si parti demokratike, me rregullore dhe statut ka të garntuar të drejtën e konkurimit për kryetar partie për të gjithë ata persona që plotësojnë kushtet.
Në pyetjen e InfoShqip, nëse janë të vërteta apo jo shpekulimet që Kahremani dhe Afrim Gashi do të kandidojnë për kryetar të partisë dhe kjo ka shkaktuar përçarje, Murtezani tha:
“Për gjëra të shpifura nuk kemi komente. Në bazë të statutit dhe rregullores, kandidatët që dëshirojnë mund të kandidojnë në kongres, ndërsa ajo që është e rëndësishme është se në Kongres do të zgjidhen dy organet kryesore të L. Besa: Kryetari dhe Kuvendi Qendror.”
Ai theksoi se ende nuk ka asnjë informatë se kush do të kandidojë dhe një gjë e tillë do të kuptohet më 18 shkurt, për kur është caktuar edhe kongresi i jashtëzakonshëm.
“Ky do të jetë kongresi i shumicës së Lëvizjes Besa, shumicë e cila më 6 janar e shkarkoi ish kryetarin dhe ushtrues detyre e emëroi deputetin Nexhbedim Kahremani” – tha Orhan Murtezani për InfoShqip.
Ai nuk deshti të komentojë nëse kanë pasur kontakte me “krahun e Tetovës”, përkatësisht me Bilall Kasamin dhe rrethin e tij./InfoShqip.com