Partia Demokratike ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e qytëtarëve në votime për Bashkinë e Dibrës. Me një deklaratë të zëdhënëses së fushatës së Sherefedin Shehut, i bëhet thirrje qytetarëve dibranë që të dalin masivisht e të votojnë sot.
“Deri në këto momente që flasim, pjesëmarrja në zgjedhje është e kënaqshme. Qytetarët po vijojnë votimin normalisht. Unë ju bëj thirrje votuesve të dalin masivisht në votime pasi sot qytetarët e Dibrës kanë në dorë të vendosin për të ardhmen e tyre.
Qytetarët e Dibrës kanë dëshmuar se përfaqësojnë vlerat e demokracisë, as nuk tremben, as nuk shantazhohen, as nuk blihen.
Askush nuk e ndryshon dot vullnetin e tyre.
Sot, çdo njeri prej nesh, qytetarëve të Dibrës, ka në dorë me votën e tij të bëjë ndryshimin e madh për Dibrën dhe për të ardhmen tonë.
Të dashur bashkëqytetarë; Dilni masivisht dhe votoni me qytetari, me mençuri dibrane”, thuhet në deklaratën e shtabit të Shehut.