Gati një javë, Bardhyl Zymberi nga Çerkezi i Kumanovës, në shtëpinë e tij nuk ka ndezur dritë, nuk ka hapur frigoriferin e nuk ka ndezur bojlerin.
Hallin e familjes Zymberi e kanë edhe dhjeta shtëpi tjera të lagjes, meqë gati një javë nuk ka rrymë në këtë paralagje të Kumanovës.
Bardhyli thotë se pa rrymë nuk po munden ti kryejnë nevojat elementare, ushqimin e pastrimin, ndërsa më së vështiri e ka pse s’po arrin t’ia ofroj kujdesin babës së sëmurë.
“Qe një javë nuk kemi rrymë, nuk e di pse! Shkaku i shtyllave, edhe tash pësojmë ne që paguajmë me rregull, edhe nëse shpaguajmë me rregull, nuk ka të drejtë ta ndale rrymën në shekullin 21. Ja shiko, frigoriferi pa rrymë, krejt gjësendet që i kam pasur i kam hedhur. Kam edhe njeri të sëmur! Para një muaji ka pasur operacion, është në shtrat. Ka njerëz të paaftë”, u shpreh Bardhyl Zymberi, Banor i Lagjes Çerkez.
Sikur Bardhyli, ka pësuar edhe Ramiz Aliu nga kjo lagje.
Ai ka një servis për ngjyrosjen e makinave, por pa rrymë, s’mund ta bëjë punën e vet.
“Ngjyrosi vetura, rrymën e paguaj rregullisht, tashmë1 javë nuk kemi rrymë, familja prej meje varet, un e bëjë këtë punë, nuk kam çka të punoj tjetër gjë. Kemi lajmëruar rastin, na kanë premtuar që do të vijë ekipi për ta rregulluar, nuk kanë ardhur. 5-6 herë jam paraqitur, nuk e di se çka është problemi“, shtoi Ramiz Aliu, banor i lagjes Çerkez.
Mungesa e rrymës, i ka nxjerr banorët e kësaj lagje për të dytën herë në rrugë, sepse ata po mendojnë që vetëm me pengimin e komunikacionit, do t’ju dëgjohet zëri.
Kompania e distribuimit, EVN thonë se jo vetëm rrugët i bllokojnë këta banorë, por edhe nëpunësit e saj, që kanë tentuar ta riparojnë prishjen në rrjet, tash e një javë.
Zëdhënësi i EVN-së Atanas Kovaçevski, sqaron për TV21 se rrjeti është i mbingarkuar në këtë paralagje, dhe shpesh defektet shkaktohen nga vjedhja në rrjet.
“Arsyeja për defektet e shpeshta është vjedhja e rrymës elektrike në këtë vendbanim. Apelojmë që të gjendet një zgjidhje në interes të përdoruesve. Tashmë disa herë ka filluar rekonstruktimi i rrjetit dhe banorët e Çerkezit pastaj e ndërpresin. Gjendja e këtillë është e dëmshme për rrjetin distribues por edhe për përdoruesit. Për këtë arsye apelojmë që të mundësohet realizimi i investimit të EVN-Maqedoni për rekonstruktimin e rrjetit që të tejkalohen problemet”, nga EVN.
Por banorët nuk pajtohen më këtë konstatim të distributorit të rrymës.
Afrim Aziri thotë se nuk bëhet fjalë për defekt. Ai aludon se kundërshtimi i banorëve për tu pajisur me matës elektronik, jashtë shtëpive të tyre, është “dënimi” që i la në terr.
“Tashmë një javë bëjnë kështu, lajmërojmë Shkupin, thonë se do ta lajmërojnë Kumanovën, nga Kumanova thonë se e kanë rregulluar defektin. Defekt nuk ka, unë kam qenë prezent kur i kanë hequr tri siguresa”, shtoi Afrim Aziri, banor i lagjes Çerkez.
Banorët e Çerkezit thonë se do të vazhdojnë me bllokimin e rrugës së vjetër rajonale, derisa t’ju kthehet rryma.
Kjo ishte dita e dytë që banorët bllokuan për disa orë, dhe më pas liruan rrugën para shtëpive të tyre.