Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov po qëndron në Sofje, ku është paraparë të ketë takime bilaterale me përfaqësuesit e autoriteteve bullgare dhe të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.
Dimitrov takohet me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me kryeministrin Bojko Borisov dhe me kolegen e tij, Ekaterina Zaharieva.
Dimitrov dhe Zaharieva, siç kumtoi MPJ-ja do t’i shkëmbejnë dokumentet e ratifikimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.
Me këtë praktikisht do të përfundojë procedura formale për të hyrë në fuqi Marrëveshja, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe në Parlamentin bullgar tre ditë më vonë.
Gjendja në Ballkanin Perëndimor, me theks të procesit eurointegrues të rajonit, si dhe situata në Siri dhe në Korenë Veriore, do të jenë temat në të cilat do të diskutohet në sesionet e takimit joformal të Këshillit për punë të jashtme të BE-së (Gimnih), që nesër dhe pasnesër do të mbahet në Sofje.