Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i ftuar nderi në sesionin Pyetje dhe Përgjigje, përpara 18 mijë anëtarëve të Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një paraqitje 10 minutëshe, Rama ka përmbledhur raportin shqiptaro-izraelit prej shekujsh duke theksuar heroizmin e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, kur mbrojtën hebrenjtë dhe nuk i dorëzuan tek nazistët.
Derisa në shtetet tjera europiane pakësohej numri i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri rritej ai.
Rama ka treguar madje se ky nuk ishte rasti i vetëm i ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, ata kishin kërkuar mikpritjen shqiptare edhe tri herë të tjera më parë dhe e kishin gjetur atë – në shekullin e parë, në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe në të shtatëmbëdhjetin.
“Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që njohu të drejtën komuniteti hebre që të legalizohej. Historia është e jashtëzakonshme, pasi hebrenjtë u shpëtuan jo vetëm nga familjet myslimane, por edhe nga kleri katolik”, ka deklaruar Rama.
“Është shumë e famshme historia e njërit prej klerikëve më të lartë të krishterë në Shqipëri, që pagëzoi shumë hebrenj që të ndryshonte identitete e tyre dhe t’i shpëtonte nga nazistët”.
“Gjithashtu është një histori shumë e njohur kur njëri prej nazistëve më të lartë, Hermann Neubacher, në 1943 thirri katër përfaqësuesit e katër komuniteteve tona fetare dhe u kërkoi që të jepnin listën e hebrenjve dhe listën e floririt që kishin – ata dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve”.
“Është vërtetë e jashtëzakonshme se si asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve”.
Rama u ka kërkuar izraelitëve që ta vizitojnë Shqipërinë përsëri, por tani për pushime dhe turizëm.
ERTV Live😊: Washington DC – I ftuar nderi në sesionin Pyetje&Pērgjigje përpara 18 mijë anëtarëve të Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike🇦🇱🇮🇱🇺🇸
Posted by Edi Rama on Sonntag, 4. März 2018