Më në fund u realizua dëshira e idhtarëve të Albin Kurtit që edhe Shpend Ahmeti të japë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Në fakt kishte kohë që nuk e duronin dot pasi fuqia e tij në publik i shqetësonte se mos do të kishte synime në postin e kryetarit.
Madje, vazhdimisht e akuzonin se Shpendi synonte postin e kryetarit në Vetëvendosje edhe pse ky i fundit deklaronte se nuk kishte aspak dëshirë të bëhej kryetar i Vetëvendosjes.
Gjithsesi, sot Vetëvendosje u zgjua pa Shpendin mes tyre, sot Vetëvendosje u zgjua pa komunën e Prishtinës dhe nuk duhet të gëzohen por të trishtohen pasi vështirë se e fitojnë për disa mandate kryeqendrën e Kosovës.
E megjithatë ndryshe siç pritej në opinion por edhe brenda partisë, Shpend Ahmeti i la me gisht në gojë edhe krahun e Albinit edhe krahun e të pakënaqurëve. Shpendi ua bëri bllok të dyja palëve duke u thënë, ndoshta me ironi, se të dyja palët kanë të drejtë e le të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre. Madje u uroi edhe suksese.
Pra, sipas letrës së Shpend Ahmetit shihet se nuk ka plane të hapë ndonjë parti të re. Ai thjesht shprehu zhgënjim, e më të drejtë pasi ishte i vetmi që u përpoq t’i bashkonte palët por kjo nuk u vlerësua nga Albin Kurti i cili nuk mori as mundin ta vizitonte për fitoren në Prishtinë.
Ndoshta, Albin Kurti ka arsye të fshehta pse u soll kështu me Shpendin por le t’i thotë që ta mësojë edhe publiku, por shpresoj të mos jetë arsyeja pse piu Coca-Cola ne jahtin e Devollëve pasi nuk është krim.
Shpendi iku por na dha sinjale se çdo të ndodhë më tej. Nëse të pakënaqurit nuk mblidhen në një parti atëherë do të jetë një skenë e tmerrshme dhe do të jenë si udhëtarët pa busull, që me shumë gjasa ose do të kalojnë nëpër parti ose do të shesin votën e tyre si të pavarur.
Por nga ana tjetër Albin Kurti nuk preitet të jetë i shqetësuar nga ikja e Shpendit. Fundja është politikan opozite dhe e di shumë mirë që me këto kushte nuk e realizon strategjinë e tij nëse vjen në pushtet. Ai po erdhi në pushtet do të ketë fatin siç e pati Kryeministri Alexis Tsipras në Greqi ose siç do ta ketë edhe Lëvizja e 5 Yjeve në Itali. Pra do të përshtatet me realitetin.
E më shumë që do ta vuajnë këtë skenë do të jenë qytetarët e Prishtinës. Siç u duk edhe dje që në Kuvendin Komunal nuk kaloi raporti buxhetor, Shpend Ahmeti do ta ketë të vështirë t’i kalojë projektet duke marrë parasysh se asambleistët aty mendojnë vetëm interesin partiak dhe jo atë të qytetarëve.
Fatkeqësisht në këtë situatë Prishtina do të vazhdojë të mbetet peng i asambleistëve partiakë që do të zihen me njëri-tjetrin. Edhe për një flamur u zunë e jo më për projekte madhore. Gjithsesi vetë i votuat./albeu.