Eksponentë të BDI-së kanë kërcënuar me jetë për të disatën herë kryetarin e shoqatës së gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmanin, por sic theksoi ai, shumicën e rasteve kur është kërcënuar nuk i ka bërë publike për opinionin publik, shkruan InfoShqip.
Selmani me një deklaratë për InfoShqip sqaron opinionin mbi këto kërcënime, falenderon policinë dhe ministrin e punëve të brendshme të Maqedonisë për gatishmerinë që treguan në mbrojtje të gazetarit, si dhe tregon për instancat europiane ku ka arritur të trajtohet ky kërcënim.
Në vijim mund të lexoni të plotë deklaratën e Selmanit:
“Nuk është hera e parë që kërcënohem dhe provokohem nga njerëz të afërt me BDI. Nuk i kam paraqitur ne publik sepse nuk kam dashur në asnjë moment të mendojnë kërcënuesit se vertët ua kam frikën.
I kam raportuar kërcënimet në polici thjeshtë për të lënë gjurmë nëse dikush prej dhunuesve të BDI përpiqet ti realizojnë kërcënimet.
Dua t’u faleminderohem të gjithë kolegëve për solidaritetin e tyre. I bind se SHGM, padallim kërcënimeve dhe shantazheve ndaj meje, nuk do të heq dorë nga misioni jonë i përbashkët, liria e fjalës në Maqedoni të jetë pjesë e jetëve tona, e jo angazhim deklarativ në Kushtetutë.
Vlerësoj reagimin profesional të ministrit të Punëve të brendshme, Oliver Spasovski dhe të policiëve të përfshirë në këtë ngjarrje, por këtë nuk mund ta them edhe për prokuroren Spasenka, e cila nuk ishte në gjendje ta kuptojë një kërcënim të drejtëpërdrejtë ndaj jetës time.
Faleminderoj edhe Përfaqësuesin e lartë të OSBE-së për lirinë e mediave, Harlem Dezir dhe mbarë korrin diplomatik në Shkup, i cili fuqishëm u ngrit në mbështetje të lirisë së fjalës në Maqedoni. Sot u informova se ky incident trajtohet në mënyrë shumë serioze në kontekst evropian pas vrasjes qyqare të dy kolgëve të mi në Malta dhe Sllovaki.
Fort besoj se qytetarët e Maqedonisë janë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave evropiane, të cilat janë të atakuara nga disa figura margjinale politike dhe dhunues.” – Përfundoi Selmani./InfoShqip.com