Zbulohet Ilaçi i Parë që Shëron Diabetin

Në Shqipëri, numri i personave të prekur nga diabeti rritet nga viti në vit.

Sipas të dhënave zyrtare që AgroWeb.org ka marrë nga Instituti i Shëndetit Publik rezulton se shifra e përafërt e diabetikëve është rreth 120-150 mijë.

Po sipas të njëjtave të dhënave, mosha më e prekur nga diabeti në Shqipëri është grupmosha 40-65 vjec që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.

Deri dje, diabeti është konsideruar si një sëmundje që nuk shërohet por vetëm kurohet.

Por një zbulim i ri shkencor duket se do të shënojë një kthesë historike në shërimin dhe ndalimin e kësaj sëmundjeje.

Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një pilulë të re e cila mund të shmangë shfaqjen e diabetit të llojit 2 që në fillimet e tij.

Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet.

Kjo pilulë quhet semaglutide dhe sipas shkencëtarëve arrin të ndihmojë njerëzit edhe të heqin peshën e tepërt në zonën abdominale.

Testimi i Pilulës dhe Rezultatet

Pilula në fjalë u testua në 632 pacientë.

71 përqind e të cilëve arritën të bien në peshë, duke nënvizuar suksesin befasues të një pilule që kryen dy funksione: ndalon diabetin dhe heq kilogramët e tepërt.

Pjesëmarrësit u kuruan me këtë pilulë për 26 javë dhe rezultatet ishin shumë premtuese.

Shkencëtarët janë entuziastë për rolin e semaglutidës në mbajtjen nën kontroll të diabetit. Ose siç njihet ndryshe ‘vrasësi i fshehur’, për arsye se mbipesha ushqen diabetin e tipit 2.

Përveç Semaglutidës, pacientët që morën pjesë në studim, i nënshtroheshin edhe një kure tjetër me Metforminë. Një ilaç që përbën linjën e parë të mbrojtjes për të mbajtur nën kontroll diabetin.

Zbulimet shkencore mbi pilulën anti diabet

Shkencëtarët zbuluan se Semaglutida jo vetëm që ndalonte progresin e diabetit, por edhe ulte nivelet e sheqerit në gjak dhe parandalonte nevojën për insulinë.

Diabeti i tipit 2 mund të shkaktojë atak në zemër, verbëri, probleme me gjymtyrët që çojnë në amputimin e tyre e shumë sëmundje të tjera.

Kjo sëmundje konsiderohet një bombë e vërtetë për njerëzimin.

Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit, obeziteti ka qenë shkaktar për rritjen me 65 përqind të diagnostifikimeve të diabetit.

Deri më tani numërohen 380 milionë pacientë në mbarë botën.

Autorët e studimit e cilësojnë atë shumë premtues edhe për faktin se pilula arrin të ulë nivelet e sheqerit në gjak.

Studimi tregoi se pilula ul nivelin mesatar të sheqerit në gjak me 1.9 përqind.

Gjetjet e studimit treguan se shumica e pjesëmarrësve që konsumuan këtë pilulë arritën nivele optimale të sheqerit në gjak në më pak se 7 përqind.

Niveli i sheqerit në gjak tek njerëzit e shëndetshëm është nën 6 përqind. Ndërkohë që nëse ky nivel arrin në mbi 6.5 përqind, paraqet rrezik për shfaqjen e diabetit.

Semaglutida është pjesë e një grupi të ri ilaçesh që injektohen në gjak por edhe merren nga goja.

Ajo stimulon prodhimin e insulinës dhe zbraps sekretimin e glukagonit, një hormon që rrit nivelet e insulinës.

Kjo pilulë ka gjithashtu efekt në pakësimin e oreksit.

Studimi mbi efikasitetin e kësaj pilule u krye nga Qendra Leicester për Diabetin. Ndërsa studimet u publikuan në revistën prestigjoze JAMA, të cilës i referohet edhe AgroWeb.org.

Të dhënat tregojnë se Semaglutida mund të dalë në treg brenda tre viteve./AgroWeb.org


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu