Sot nëpër rrjetin social FB ka filluar të shpërndahet një fotografi me një pjesë të intervistës të dhënë për Gazetën Lajm nga kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në të cilën thuhet: “Sa i përket opinionit se vetëm bashkimi i opozitës është çelësi i suksesit, ky është një mashtrim që e ka shpikur partia në pushtet, për të dëshmuar se ajo është aq e fortë, sa vetëm një parti nuk mund ta mundë. Megjithatë, faktet flasin të kundërtën. Më 9 maj në Shkup kësaj partie i dolën në rrugë mbi 30 mijë shqiptarë dhe i thanë IK. Kjo nuk i ka ndodhur asnjë partie shqiptare në pushtet deri më sot. Prandaj, me gjithë përkushtimin tonë për bashkëpunim opozitar, unë jam i bindur se kjo parti rrëzohet edhe vetëm nëse shqiptarët e votojnë cilëndo parti opozitare ose, së paku, të mos e votojnë BDI-në. Ndërkaq, edhe nëse u referoheni hulumtimeve të opinionit publik, edhe aty gjeni argumente se fituese e zgjedhjeve të ardhshme është opozita e tanishme. Meqë flas në emër të Lëvizjes BESA, ju bind se befasia e këtyre zgjedhjeve, që do të jetë befasi edhe për historinë e pluralizmit në Maqedoni, do të jetë pikërisht BESA”./InfoShqip.com