Gjuha është mjet për komunikim mes palëve të ndryshme, ndërsa tek ne gjuha është shndërruar në një instrument për konfrontime, ndarje, përçarje dhe akuzime ndërmjet vete, tha kryetari i Partisë Demokratike Pavle Trajanov. Sipas tij, nëse ka pasur ndonjë parregullsi gjatë procesit të votimit, apo ndonjë gjë tjetër, atëherë e njëjta duhet të zgjidhet në nivel të institucioneve.
“Nëse ka thyerje të procedurës apo diçka tjetër, e njëjta duhet të zgjidhet në suaza të institucioneve. I gjithë ky proces është mjaftë i ndjeshëm dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm me qëllim që të mos nxisim turbulenca dhe jo stabilitet brenda vendit. Na duhet një Maqedoni stabile, sepse nëse destabilizohet, atëherë përsëri do të ikë kapitali, e me të do të ikin edhe të rinjtë”, u shpreh Pavle Trajanov, Kryetar i Partisë Demokratike.
Sipas kryetarit të partisë Unioni Qytetar Demokratik, e formuar sot, Petar Kolev, BDI dhe VMRO-DPMNE po shfrytëzojnë çështje si ligji për gjuhët për të fituar rejting politik. Sipas tij agresiviteti i këtyre dy partive rritë rejtingun e njëra tjetrës.
“Kur bëhet fjalë për ligjin për gjuhët nuk mund pa e përmend atë që VMRO-DPMNE dhe BDI i ndihmuan njëra tjetrës që të përmirësojnë rejtingun e tyre. Agresiviteti i njërës e ngrit rejtingun e tjetrës dhe e kundërta. Përderisa dikush na bënë teatër, asgjë normale dhe reale nuk mund të ndodhë në Maqedoni”, tha Petar Kolv, Kryetar i Unionit Qytetar Demokratik.
Kolev tha se çdonjëri qytetar i Republikës së Maqedonisë meriton respekt dhe qasje të barabartë nga shteti.