Njëqind e pesëdhjetë kilometra në brendësi të Rrethi Arktik ndodhet qyteti rus i Vorkutës, një qytezë e vogël minatorësh. Shumë banorë e kanë braktisur qytetin pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por ende kanë mbetur atje 70 mijë njerëz, thuajse të shkëputur tërërisht nga pjesa tjetër e Rusisë. Në vazhdim do t’ju njohim me sfidat me të cilat përballet ky qytet i izoluar në mesin e akullit, shumë larg shkëlqimit të vilave të miliarderëve të Moskës:
Vorkuta ndodhet në buzë të vendbanimeve njerëzore. Ekstremet bardh e zi të qytezës të trondisin: hapësira pa fund të akullit arktik, ku duket sikur mbijnë minierat e qymyrit.
Qyteti po vdes. Rënia e Bashkimit Sovjetik e la Vorkutën të pambrojtur ndaj fenomeneve të tregut të lirë. Në vitet e shthurjes së sistemit, më 1990, 8 nga 13 minierat e qytetit u mbyllën. Në 30 vjetët e fundit dy të tretat e banorëve janë larguar…
Në mesin e rënies ekonomike të qytetit, Nadezhda Kozhevnikova përpiqet të mbajë biznesin e saj. Ajo thotë se Vorkuta është lënë në harresë:
“Me sa kuptoj unë, ne kemi rezerva të mjaftueshme qymyri edhe për 50 vjet të tjerë. Kërkesë për qymyr ka. Atëhere, përse minierat nuk rimëkëmben? Asnjë prej tyre nuk po zhvillohet. Asgjë nuk po bëhet.”- thotë ajo.
Edhe në këto kushte, vetëm pak banorë të Vorkutës votuan për ndryshim. 73 për qind e tyre mbështetën Partinë “Rusia e Bashkuar” të Presidentit Vladimir Putin në zgjedhjet e kohëve të fundit. Vëzhguesit thonë se votimet nuk ishin të lira dhe ë drejta.
Victor Telnov nuk është i interesuar të debatojë për demokracinë. Ai u jep mësim brezit të ri të minatorëve, duke u mësuar atyre aftësitë jetike për mbijetesën e Vorkutës:
“Siç tha një figurë e njohur politike kohët e fundit: “Mos kini iluzione. këtë herë ne nuk zgjedhim një president, por një komandant. Këto zgjedhje janë emblematike për Rusinë dhe për të gjithë komunitetin botëror. Ne tregaum se sa të bashkuar jemi si rusë.”– thotë ai.
Vorkuta u ngrit në mesin e hapësirave me akull në vitet 1930 — me punën prej skllevërish të të internuarve në gulaget e Stalinit. Në tokën e ngrirë të kësaj zone të Arktikut janë varrosur rreth 200,000 të burgosur politikë.
Të burgosurit e gulagut, po ashtu ndërtuan hekurudha, e vetmja rrugë që lidh Vorkutën me botën e jshtme. Për të shkuar në Moskë mban 45 orë udhëtim me tren. Aeroporti është shpesh i mbyllur për shkak të motit…
Thellë nën akull, Anatoly Vorobyov dhe kogët e tij minatorët gërmojnë shtresat e qymyrit, që dikur e bënë të fuqishëm Bashkimin Sovjetik. Ai ka një listë të shkurtër dëshirash për Presidentin Putin:
“Të paktën shpresoj që standartet e tanishme do të ruhen – qëndrueshmëria e pagave, furnizimi i punëtorëve me artikujt e nevojshëm. Dua të them të kemi një paketë sociale. Si përmirësim, natyrisht që duam një rritje pagash dhe ndoshta edhe një autostradë të re për në Vorkuta. Kio do të ishte diçka shumë e mirë për të gjithë banorët.”
Dëshirë për stabilitet. Një përgjërim për të shpëtuar nga ky qytet që ka marrë të tatëpjetën…
Në vitet ‘1990 pagat e minatorëve të Vorkutës ngelën pa paguar për 10 muaj rresht. Kujtimet e kësaj traume janë të ngrira në mendjet e shumë banorëve…
Jeta në Vorkuta mund të duket e acartë në Rusinë e Putinit, por njerëzit këtu e dinë se ka edhe më keq…/VOA