Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar shqiptarëve me një konferencë për media për atë që ai e ka quajtur krim i rëndë që u krye ndaj pronës së përbashkët dhe investimit të kryer sipas ligjit, në funksion të sigurisë afatgjatë të lëvizjes dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, njofton Klan Kosova.
“Sipas kodit penal të Shqipërisë zjarri i sotëm dhe dhuna barbare e ushtruar mbi pronën e përbashkët si dhe goditja e policisë për të penguar zbatimin e ligjit në vendosjen e pagesës janë krime të rënda”, ka thënë Rama, duke shtuar “ju siguroi se këto krime do të ndëshkohen”.
“Kush e vuri atë zjarr, kush ushtroi vandalizëm dhe kush guxoi të ngre dorë mbi forcat e policisë duke cenuar sigurinë e shumë udhëtarëve nuk do të ketë asnjë shans t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit”.
“Ndërkohë atyre të kazanit që udhëpërmbysin çdo ditë opozitën shqiptare u them; as populli i krejt Shqipërisë, as populli i Kukësit s’kanë lidhje më këtë shfaqje vandalizmi”.
“Përgjigjen prej Kukësit dhe gjithë Shqipërisë do ta marrin ashtu siç e meritojnë qershorin e ardhshëm, pa diskutim edhe më shembullore se përgjigja që morën qershorin e shkuar, qoftë në Kukës qoftë në Shqipëri”.
“Vandalët që dhanë sot një shfaqje të neveritshme anti-shtet nuk janë Kukësi, nuk janë Tropoja, nuk janë Shqipëria, nuk janë populli i Kukësit dhe jo ajo pjesë e nderuar dhe e respektuar e atij komuniteti”.
“Vandalët do të sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit, ndërsa me qytetarët që e kundërshtojnë pagesën do sillemi siç na do vizioni që kemi dh detyra që mbajmë. Me ata do bisedojmë me vëmendje dhe do i dëgjojmë me durim”.