Prezantuesi i “The Tonight Show”, Jimmy Fallon ka bërë shaka me kandidaten demokrate Hillary Clinton dhe pneumoninë e saj.
Clinton ishte e ftuara e Fallon në programin e tij.
Teksa prezantuesi i uroi asaj mirseardhjen, ai vendosi një maskë në fytyrë e më pas edhe pastroi duart me një anti-bakterial, duke bërë kështu shaka me sëmundjen e quajtur Pneumoni, që ka Clinton.
Kandidatja demokrate nuk u ndje mirë gjatë ceremonisë përkujtimore të 11 shtatorit javën e kaluar, gjë që e detyroi atë të largohej dhe madje të merrte disa ditë pushim nga fushata e saj. Përfaqësues të fushatës së saj, më pas u shprehën se Clinton vuante nga një pneumoni jo-ngjitëse bakteriale.
Përtej të qeshurave, Clinton dhe Fallon diskutuan gjithashtu edhe për çështje të tjera lidhur me fushatën e kandidates demokrate. E pyetur se si ajo ia del të jetë e balancuar në fushatë, Clinton u përgjigj:
“Isha në një tjetër program ku u pyeta për ISIS dhe Iranin dhe isha serioze. Këto janë çështje të rëndësishme për të cilat vendi duhet të diskutojë. Republikanët thanë se dukesha shume serioze. Epo, nuk mund të flasësh për ISIS duke qeshur. Ata janë një grup barbar që ne duhet të mposhtim. Është një akt vazhdimisht balancues. Të mbash energjinë dhe shpirtin pozitiv teksa merr me seriozitet ato që duhet.”
Paraqitja e zonjës Clinton në The Tonight Show, vjen një ditë pas asaj të zotit Trump në të njëjtin program. Midis të qeshurash, prezantuesi Jimmy Fallon i kërkoi republikanit t’i prishte flokët e tij gjithnjë të krehura, që janë tipari më dallues i Trump.