Pse duhet Afrim Gashi të heqë dorë nga Lëvizja BESA

Shkruan: Latif MUSTAFA

Një kohë të gjatë, në Maqedoni, kam përcjellur rrjedhat politike. Në përgjithësi, deri më tani, nuk kemi diçka të re, gjithçka i ngjan një “petitio principi” apo forme të logjike të mendimit qarkor. Në anën tjetër ndryshimet kërkojnë koncepte dhe guxim radikal. Ngjashëm edhe me Lëvizjen Besa:

1. Përkundër tentativave për ta shndërruar emrin e partisë në një koncept – në kuptimin e një kontrate shoqërore – praxisi i tyre dëshmoi për mosnjohje elementare të definimit të interesit personal dhe realizimit të tij përmes mekanizmave kolektiv. Parasëgjithash nocionet primitive, e sidomos mbi ato të cilat nuk janë bërë teoretizime konceptuale, është e vështirë të adaptohen në diskursin politik të shtetit modern.

2. Pa u zhytur në paragjykime, në rast se refleksioni nominativ akumulim i nënvetëdijshëm i mungesës së saj praktike, koncepti “besa” përtej një koncepti primitiv dhe kanunor herë herë me ngjyrime religjioze, nuk u arrit të zbërthehet e të reflektohet.

3. Platforma qendrore e Lëvizjes Besa ishte “Ridefinimi”. Sado që Ridefinimi ka konotacion më shumë gjuhësor se sa politik, ai nuk u arritë të sqarohet si duhet kjo ide edhe atë për shkakun paradoksal të saj. Paradoksi qëndron në atë se ridefinimi domosdoshmërisht shpiente në federalizim dhe ndarje të shtetit kurse në anën tjetër proklamohej edhe ruajtja e unitaritetit të shtetit të Maqedonisë.

4. Çarja në Lëvizjen Besa, mendoj që thelbin e ka mu në shkaqet e lartpërmendura. Njëri grup i cili po përpiqet ta mbajë, mesa duket është pikërisht grupi i cili nuk arriti ta tejkaloj primitivizmin e këtij koncepti e aq më tepër kur Besa është e lexueshme veç për shqiptarët dhe është më tepër kanunore e ndërlidhur me fisin dhe provincialen e me çrast kanuni nuk mund të krahasohet me toeritë moderne të John Locke-s apo ato bashkokohore të Richard Rorty-s. Në përgjithësi mendoj që, BESA, është e ezauruar si koncept, si frymë por edhe si praktikë kanunore dhe si platformë apo lëvizje politike, është tashmë thellësisht e harxhuar dhe ata që besojnë akoma në këto platforma dhe koncepte, le të mbartin punën përpara.

5. Maqedonia apo politikbërja në Maqedoni ka nevojë për hapa më radikal dhe më bashkëkohor të politikbërjes. Maqedonia ka nevojë për një subjekt të guximshëm politik. Dhe në këtë frymë mendoj që Afrim Gashi, pavarsisht të gjithave dhe pikave të lartcekura, duhet të themeloj një subjekt të ri politik, pa u lodhur me ato kontestet e pakuptimta dhe shkërmoqëse duke bredhur rrugëve të gjykatave.

6. Çfarë mund të jetë një hap më radikal i politikbërjes? Maqedonia në antikitet ishte një perandori kosmopolite dhe shumë etnike, ishte një aleancë popujsh. Ajo çfarë do të duhej bërë partia e re e Afrim Gashit është një platformë e re që pretendon karakterin kozmopolit të këtij shteti thelbi dhe Maqedoninë nga një nocion etno-centrik ta shndërroj në një nocion qytetërimoro-centrik me kushtetutë të zgjeruar që mbron të drejtat dhe liritë elementare të popujve që jetojnë në të.

Sot është një ditë e re prandaj medoj se duhet thënë gjëra të reja. Nganjëherë ndihemi të detyruar t’i jetësojmë disa koncepte që përkundër aftësive tona hermeneutike, mbesim vetëm rob të atyre koncepteve. Mendoj që përpos koncepteve rob të të cilave jemi, është mirë të kërcejmë dhe të bëjmë hopin cilësor dhe t’i shqyrtojmë konceptet e reja por jo duke e projektuar subjektin politik si makineri e prodhimit intelektual, por si mundësi e shprehjes dhe afirmimit të intelektualëve që vijnë nga qarqe të ndryshme akademike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu