Diplomatët shqiptarë peng të Ivanovit

Për të disatin vit me radhë, një numër i madh i përfaqësive diplomatike të Maqedonisë në botë vazhdojnë të jenë pa ambasador.

Bëhet fjalë për vendet e Evropës si Norvegjia, Polonia, Franca, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Zvicra, Spanja, Katari dhe Republika Popullore e Kinës.

Pa konsull është edhe konsullata në Gjermani. Këto përfaqësi diplomatike që aktualisht janë në duart e ushtruesve të detyrës, nga ndarja jozrytare e kulaçit mes partive të pushtetit, ju takojnë diplomatëve shqiptar.

Mospërzgjedhja e tyre, është shkak i mos-njohjes së presidentit Ivanov nga ana e BDI-së. Ish ambasadori, Nano Ruzhin, thotë se kjo gjendje e diplomacisë së vendit, krijon imazh të keq për vendin, në misionet diplomatike në botë.

“Gjithmonë kur nuk ekziston ai person dhe kur përfaqësoheni me ushtrues detyre ose nivel më të ulët, shteti, sipas rregullave të zakonshme diplomatike nuk do të jetë e përfaqësuar në ngjarjet e ndryshme protokollare si ambasadat e tjera të vendeve të tjera.

Shteti mikpritës mundet që atë ta kuptojë si nënçmim nga ana e shtetit që duhet të dërgojë përfaqësues”, tha Nano Ruzhin, ish ambasador, transmeton Alsat-M.

Ruzhin vlerëson se thelbi i problemit qëndron te ndërhyrja e politikës në diplomaci, kurse BDI duhet të gjejë mekanizma që në emër të interesave shtetërore, ta tejkalojë atë.

Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ju përgjigj pyetjeve të Alsat, nëse së fundmi ka shqyrtuar emërimin e diplomatëve të ri në krye të përfaqësive diplomatike në botë dhe pse çështja mbahet peng për disa vjet. Thuajse një vit më parë, vetë ministri Popovski premtoi zgjidhje të shpejtë të problemit.

I vetmi ambasador shqiptar i Maqedonisë, edhe më tej është Naim Memeti në Danimarkë, kurse asnjëherë nuk jemi përfaqësuar me një diplomat shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu