Organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e femrave, thonë se në Maqedoni ekzistojnë një varg ligjesh që në aspektin legjislativ garantojnë barazinë gjinore, duke marrë si model legjislacionin e vendeve të zhvilluara evropiane.
Mirëpo, problemi qëndron në atë se këto dispozita nuk gjejnë zbatim në praktikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për statusin e femrës shqiptare në shoqërinë e Maqedonisë.
Xhane Kreshova, drejtuese Forumit të Gruas në Tetovë, thotë se me hapjen e dy universiteteve në gjuhën shqipe, gjatë dy dekadave të fundit, siç është Universiteti Shtetëror i Tetovës, si dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, mbi 60% e femrave që mbarojnë shkollën e mesme vazhdojnë studimet. Kjo paraqet një përqindje pothuajse të barabartë me ata të gjinisë mashkullore, por problemi, sipas Kreshovës, qëndron në mosndarjen në formë të barabartë të prioriteteve gjatë jetës bashkëshortore.
Zonja Kreshova thotë se femra shqiptare, edhe pse e diplomuar, në këtë kohë detyrohet të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët edhe në raste kur ajo është më paguar sesa bashkëshorti saj.
“Akoma shumë lë për të dëshiruar çrrënjosja e rregullave patriarkale. Gruas i mbetet përkujdesja për fëmijët, madje nëse në bashkësi ka dhe persona të moshuar, ajo duhet të kujdeset për gjithçka që ka të bëjë me shtëpinë. Edhe në rastet ku ajo është e diplomuar, në një kohë që shumë vështirë sigurohet një vend pune, përparësi i jepet bashkëshortit në 90% të rasteve sesa të vendoset të punojë gruaja”.
“Pra, as që diskutohet në këtë drejtim, sepse vlerësohet se është burri ai që duhet të punojë për të siguruar të ardhura për familjen, kurse femrat në rend të parë kanë përkujdesjen për familjen, shtëpinë dhe pas kësaj, nëse ka mundësi edhe të punojë. Kjo është në kundërshtim me barazinë gjinore që është shumë më e shprehur te popullata shqiptare në Maqedoni”, thotë Kreshova.
Ndërkohë, Adelina Marku aktiviste për të drejtat e grave, me profesion diplomate, konsideron se femra shqiptare për momentin ballafaqohet me tri sfida, cilësinë e dobët të arsimimit që nuk e aftëson mjaftueshëm për të qenë konkurruese në tregun e punës, pasivitetin e sektorit civil, dhe politikëbërjen që llogaritet si tren ku “frenat” duhet t’i mbajnë vetëm burrat.
“Kur bëhet ridefinimi i statusit të arsimimit në Maqedoni që goxha është i lënduar, më pas kemi statusin e shoqërisë civile që është shumë i politizuar, duke lënë mënjanë të gjitha problemet që s`janë politike, është shumë e vështirë të përcaktohet statusi i femrës shqiptare në shoqërinë e Maqedonisë”.
“Dhe, nëse këto ridefinime, siç është arsimimi cilësor, shoqëria civile e zëshme ku kemi të bëjmë me çfarëdolloj diskriminimi, si dhe do të shtoja së fundmi dhe ridefinimi i dimensionit fetar, nuk bëhen në mënyrë paralele, me standarde të kontekstit të kohës, atëherë përsëri do të vazhdojmë me një tranzicion të prolonguar, defektuoz që do të shkaktojë përballje me rreziqe të mëdha, të cilat nuk jemi të përgatitur t’i përballojmë”, vlerëson Marku.
Përderisa, Luljeta Ademi përkthyese me profesion, po njëkohësisht aktiviste për të drejtat e femrave, thotë se femrat shqiptare në Maqedoni shumë pak inkuadrohen në trajnimet e shumta që organizohen me mjete nga faktori ndërkombëtar, trajnime këto që jo vetëm inkurajojnë femrën të jetë pjesë përbërëse e krijimit të politikave në çdo pore të shoqërisë, por janë dhe një mundësi e mirë për thithjen e granteve për hapjen e bizneseve të vogla.
“Duke qenë se marr pjesë në Shoqatën e Grave Afariste, gratë shqiptare janë shumë më të heshtura kundrejt atyre maqedonase sa i përket kyçjes në trajnime të ndryshme, ku ka tribuna të ndryshme ku shkëmbehen informacione të shumta për avancimin e bizneseve”.
“Edhe pse bëhen përpjekje të shumta, ekzistojnë projekte ndërkombëtare që motivojnë, e nxisin gruan të jetë pjesë e krijimit të politikave në çdo pore të shoqërisë sa i përket femrës shqiptare mbetet shumë punë për të qenë pjesë e këtyre trajnimeve, edhe pse në raste individuale gruaja ka arritur të sfidojë paragjykimet e shumta po në nivel më të gjerë lë për të dëshiruar”, thotë Luljeta Ademi
Organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë të drejtat e grave, vlerësojnë se diskriminimi gjinor, i cili për bazë ka mosbesimin në kapacitetet e gruas, kohëve të fundit është ambalazhuar me diskriminimin e të aftëve, dhe në të shumtën e rasteve për bazë merret vetëm një kriter, që ka të bëjë me afërsinë me strukturat udhëheqëse të partisë dhe jo aftësitë profesionale, njofton REL.