Qeveria propozoi ligj për punësimin e 100 studentëve më të mirë nga 5 universitetet më të suksesshme në vend. Sipas propozimit në fjalë ata do t’i punësojë në insitucionet publike. Por nga përfaqësuesit e studentëve dhe njohësit e çështjes, kjo masë jo që nuk do ta zvogëlojë papunësinë, por përkundrazi do t’i diskriminojë e demotivojë ata deri në atë masë sa që do t’i detyrojë ta braktisin vendlindjen.
Arben Hajrullahi: Propozim-ligji i diskriminon studentët shqiptarë
“Çdo propozim-ligj për punësimin dhe avansimin e gjendjes sociale të studentëve si dhe shfrytëzimin e kapaciteteve profesionale të tyre duhet përshëndetur pavarësisht në cilat institucione planifikohen punësimet. Propozim-ligje të tilla janë shumë pozitive dhe motivuese për studentët me shpresë që duke gjetur punë ata do të mbeten në vend dhe do të angazhohen për zhvillimin profesional, cilësor dhe akademik të vendit.”– u shpreh për Portalb kryetari i Unionit të Studentëve Shqiptarë, Arben Hajrullahi, “Mirëpo, gjërat nuk janë ashtu si duken”.
Sipas Hajrullahit, fakti se propozimi vjen në kohën e fushatës zgjedhore e zbeh qëllimin për punësime fisnike dhe më tepër ngjason në fushatë të ulët parazgjedhore sesa në kujdes real për gjendjen sociale të studentëve. Njëherit, sipas tij, propozimi në fjalë vlen vetëm për një pakicë të vogël dhe të tjerët, posaҫërisht shqiptarët, diskriminohen. Qeveria nuk mbështet USHT-në ashtu siҫ mbështet Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, kjo ndikon që USHT-ja të mbetet e fundit në çdo rangim të universiteteve. Rrjedhimisht çdo gjeneratë që del nga ky universitet automatikisht konsiderohet e fundit në çdo punësim ose angazhim profesional.
“Në këtë rast ne shohim se propozim-ligji do të sistemohet në pesë Universitetet më të mira. Nga këtu e kuptojmë se USHT rangohet i nënti në listën e universiteteve më të mira në Maqedoni, që d.m.th. se në këtë propozim ligj studentët shqiptar as që do të merren parasysh, sepse kriter kryesor në selektim është universiteti e pastaj suksesi dhe të tjerat.”-theksoi Hajrullahu dhe kujtoi se për hapjen e Universitetit të ri “Nënë Tereza” disa drejtime u mbyllën në USHT, për ҫka shumë studentë humbën jo vetëm provimet, po edhe kohën dhe angazhimin e tyre për të kryer një fakultet.
“Fokusi kryesor i qeverisë të mbetet tek reformat direkte për arsim më cilësor, depolitizimi i universiteteve, investimi në drejtime deficitare, kuadro më profesionale, promovim të teknologjive të reja dhe kyçje të të rinjve në këto drejtim, bashkëpunime që do nxisin studentët të jenë më kreativ në drejtimet e zgjedhura.”-porositi kryetari i USSH-së.
Aleksandra Filipova: Një masë e tillë as nuk e zgjidh papunësinë e të rinjve e as nuk i vlerëson si duhet të rinjtë
“Nëse nisemi nga supozimi se kjo bëhet për zvogëlimin e papunësisë së studentëve, kjo është vetëm edhe një reformë populiste. Eurostat dhe Banka Botërore vërteton se papunësia e të rinjve është rreth 50% në Maqedoni, kurse një nga arsyet është hiperprodhimi i kuadrit me arsim të lartë. Nga njëra anë hapen dy universitete të reja që do ta rrisin papunësinë e të rinjve dhe nga ana tjetër propozohet një masë e tillë që do të duhet ta zvogëlojë papunësinë.” -deklaroi për Portalb, nga Forumi Rinor Arsimor,Aleksandra Filipova “Nevojitet një analizë që do të tregojë nëse kjo reformë do të ketë ndonjë faktor të ndikimit dhe nëse studentët më të mirë e duan një masë të tillë. Në çdo rast, kjo është një politikë e qëllimshme.”
“Është simptomatike se si kusht për të zgjedhur studentët më të mirë mirren punimet shkencore të profesorëve. Ajo që profesori ka botuar më shumë se dy punime shkencore në asnjë mënyrë nuk përcakton cilësinë e studentit, as nuk e bën student më të mirë. Të vlerësuarit me poena të këtyre kushteve qysh para aplikimit bën dallim prej 10 pikësh, të cilat mund të jenë vendimtare për atë që fiton punë. Alarmuese është që paraprakisht numri i caktuar i kuotave sipas institucionit nuk garanton që me të vërtetë studentët më të mirë do të përzgjidhen dhe do të punësohen. Egziston mundësia që studentët me një numër më të madh të pikave të refuzohen dhe të punësohen ata me më pak pikë, vetëm për shkak se studentët e tipit të dytë kanë studiuar në një universitet për të cilin parashikohet kuotë më e lartë për punësim. Por këto janë vetëm probleme teknike me këtë propozim-ligj”-sqaroi Filipova, “Problemi themelor është se një masë e tillë as nuk e zgjidh papunësinë e të rinjve, e as nuk i vlerëson si duhet të rinjtë të cilët janë studentët më të mirë në Maqedoni.”
Sipas saj, studentët duhet të kenë më shumë zgjidhje dhe alternativa për punësimin e tyre e jo ta shohin administratën publike apo librezën partiake si punëdhënësin më stabil. Ndërkohë arsimi nuk i përgatit studentët të jenë konkurrues në tregun e punës. Andaj, sipas saj, fokusi duhet të vendoset në politika strategjike dhe serioze të arsimit, që do të kishin efekte afatgjata dhe përfitime si për të rinjtë ashtu edhe për shtetin. Pasi sipas saj, nëse të rinjtë do të aftësohen për tregun e punës, nuk do të ketë nevojë për masa për uljen e papunësisë.
“Më të mirët do të duhej të shpërbleheshin me financimin e punimeve, hulumtimeve, t’u mundësohej praktikë, studime, bursa për përmirësimin e kapaciteteve jashtë vendit dhe jo t’u gjendet vend në administratën shtetërore, ku nuk do të kenë mundësi për zhvillim të mëtejshëm. Përveç kësaj, parashtrohet pyetja nëse shteti ka kapacitet çdo vit t’i punësojë 100 njerëz të rinj në administratën shtetërore. Dhe nëse po, këto 100 studentë a do të punësohen sipas profesionit dhe drejtimit që e kanë kryer”-theksoi.
Sulejman Rushiti: Një vendim i tillë do t’i nxiste studentët të ikin jashtë vendit
“Mendoj që ky është një vendim dekurajues për të gjithë studentët. Vendime të tilla janë nxitje që studentët të ikin jashtë vendit. Vendi që harxhon miliarda për arkitekturë dhe monumente kiç ndan lēmoshë për më të mençurit. Ky akt është i dhimbshëm!”-u shpreh ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti, “Si gjithcka tjetër edhe kjo është një tentativë e dëshpëruar për të mbajtur pushtetitn!”
Në pyetjen nëse “Administrata shtetërore” duhet të jetë ëndrra e studentëve, Rushiti tha: “Studentët e mirë dhe ata të shkëlqyeshëm nuk bëhen peng i qeverisë që blen pushtetin me mjerimin tonë.”
Sipas Rushitit, tanimë punët kanë shkarë aq shumë saqë normalja na duket e paaritshme. Ka njē sërë mënyrash pēr stimulim, duke filluar nga kreditë e vogla dhe të mesme për ndërmarje, në lidhjen mes biznesit dhe arsimit të lartë etj. Por këtu siç theksoi “Janë prishur të gjitha mekanizmat dhe institucionet. Gjithçka është partizuar, andaj ka shumë punë për dekontaminim”.
Ndyshe, sipas vlerësimit që është bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit gjatë vitit akademik 2013-2014, kjo është ranglista e universiteteve të vendit:
1. Universiteti Shën Kirili e Metodi, Shkup -100 pikë
2. Universiteti Goce Delçev, Shtip – 85 pikë
3. Universiteti i Europës Jug-Lindore, Tetovë – 84.3 pikë
4. Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologji “Shën Apostull Pavle”, Ohër – 83.9 pikë
5. Universiteti Shën Kliment Ohridski, Manastir – 83 pikë
6. Universiteti American College, Shkup – 80.7 pikë
7. Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Shkup – 75.5 pikë
8. Universiteti FON, Shkup – 58.9 pikë
9. Universiteti Shtetëror i Tetovës – 56.4 pikë
10. Universiteti Europian, Shkup – 47.6 pikë/Portalb.mk