Lëvizja BESA: Skandaloze, komuna nuk siguron transportin për nxënësit e Tetovës

Ashtu si çdo vit tashmë me këtë qeverisje, edhe sivjet nxënësve të arsimit të mesëm nga zonat rurale të Tetovës akoma nuk u është siguruar transporti. Edhe pse sot janë bërë më shumë se dy javë që nga fillimi i procesit edukativo-arsimor, nxënësit shqiptarë të komunave rurale të Zhelinës, Bogovinës, Tearcës dhe Bërvenicës vazhdojnë të udhëtojnë me shpenzimet e tyre ose, ata që nuk kanë mundësi, të mos mund ta ndjekin mësimin fare.

Përveç Qeverisë, përkatësisht Ministrisë e Arsimit dhe Shkencës – e udhëhequr nga një shqiptar, e cila në vazhdimësi është pengesë kryesore e zhvillimit të arsimimit të nxënësve shqiptarë, tani edhe Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga një shqiptare – kuadër i BDI-së, është duke pamundësuar që nxënësit shqiptarë ta ndjekin zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor.

Siç duket, kur bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë, për Komunën e Tetovës gjithnjë paraqiten probleme. Kjo, përveçse flet për joseriozitetin e Komunës së Tetovës ndaj nxënësve shqiptarë, njëherazi flet edhe për dështimin total të menaxhimit me këtë institucion.

Andaj Lëvizja BESA – Tetovë, duke konsideruar se nxënësit shqiptarë janë prioritet i yni; e dënojmë këtë trajtim joserioz ndaj nxënësve shqiptarë dhe kërkojmë përgjegjësi publike nga ministri i Arsimit, i cili është koka e këtij turpi. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës kërkojmë që nevojat e nxënësve të arsimit të mesëm t’i trajtojë me karakter primar dhe urgjentisht t’u sigurojë atyre transport publik. Nëse nuk zgjidhet kjo, Lëvizja BESA është e vendosur që bashkë me prindërit e nxënësve të protestojmë para Komunës së Tetovës dhe kjo të mos ndalet derisa të zgjidhet ky problem i nxënësve shqiptarë.

Me këtë rast theksojmë se, me BESËN në pushtet, kjo temë nuk do të shtrohet më për nxënësit shqiptarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu