Kotzias: Nëse nuk arrihet marrëveshje, nuk do të jetë faji ynë

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në intervistë për “Istories” në televizionin grek “Sky”, u shpreh se Greqia në të gjithë këta muaj negociatash ka vepruar në mënyrë të drejtë për kërkesën e zgjidhjes së emrit me opsionin ‘erga omnes’ dhe për herë të parë pas kaq muajsh negociatash, Greqia dhe Maqedonia janë kaq afër një marrëveshje historike.

Por, nëse nuk arrihet kjo marrëveshje, nuk do të jetë Greqia fajtore, theksoi ai.

Kotzias vlerësoi se bisedimet po shkojnë mirë, por duhet edhe të pyetet pala tjetër se “a e pranon “erga omnes” dhe sqaroi se është perceptim i gabuar, që erga omnes të jetë vetëm për përdorim të jashtëm.

Ai shtoi se ky qëndrim mbështet shembullin në dokumente, se nuk mundet që në dokumente të brendshme dhe dokumente të jashtme të përdoret emër i ndryshëm, sepse do të ketë moment ku një dokument i brendshëm, për shembull letër njoftimi, ose diploma, në atë rast do të figuronte emri kushtetues dhe jo emri i ri.

Sipas Kotzias, kjo do të sjellë mos pajtueshmëri çdo ditë se cili emër të përdoret.

Në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, i pyetur se a është e mundur “integrim para kohe” përgjigjja ishte negative, duke sqaruar se kjo mund të sjell probleme dhe shtypje ndaj Greqisë.

Shefi i diplomacisë greke, edhe një herë e përsëriti se koha është shumë e shkurtë për të arritur marrëveshje deri në qershor në samitin e NATO-s.

Duke sqaruar se për mbajtjen e referendumit në Maqedoni, duhen së paku dy muaj, pastaj të ratifikohet në OKB, që të nënshkruhet marrëveshja ndërkombëtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu