Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kanë ngel edhe dy muaj, por makineria partiake në terren tashmë është mobilizuar dhe kanë nisur presionet ndaj votuesve. Nga Most dhe nga Civil, dy organizatat qytetare që po i ndjekin proceset zgjedhore në vend, thuan se shtabet partiake janë duke punuar, po kërkohen listat e votuesve, por premtohen punësime dhe subvencione, gjegjësisht është duke lulëzuar korrupsioni politik.
“Trendi është ajo, po kryhet një korrupsion politik, premtime për punësime, subvencione, ndihmë sociale, kredi, pozicione. Është forcuar edhe toni kërcënues, sipas asaj që e marrim nga vëzhguesit tanë, po shpërndahet teza se LSDM-ja e ka shitur gjuhën dhe shtetin, se do të vendosin dy gjuhësinë, se do të vendosin flamurin shqiptar. Me këtë po bëhet një ndarje midis votuesve dhe do të krijohet frikë”, theksoi Xhabir Deralla nga Civil.
Ai theksoi se për këto zgjedhje, korrupsioni politik do të financohet me shumë para.
Nga Most thuan se të dhënat e fundit ende janë duke i përpunuar, por sipas raportit për periudhën nga dhjetori i vitit 2015 e deri në prill të vitit 2016, në bazë të vëzhgimit të realizuar nga vëzhguesit e tyre të vendosur në të gjitha 80 komunat, presionet ndaj të punësuarve në administratë dhe sektorin publik janë hetuar në 22 komuna.
“Presionet kanë të bëjnë me sigurimin e votuesve shtesë ose prezencën në ngjarjet partiake”, thonë nga Most.