Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair ka deklaruar se do të mbyllë firmën e tij të konsulencës, punë në të cilën u fokusua pas largimit nga detyra. Blair ka marrë shumë kritika mbi fitimet që ka siguruar kryesisht nga ofrimi i konsulencës për qeveri të huaja dhe firma shumëkombëshe, sidomos në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij, ai ka sqaruar se puna e tij tashmë do të fokusohet tek ato jofitimprurëse.
Ish-kryeministri britanik ka thënë se një shumë substanciale të parave do t’i dhurojë për organizata jo fitimprurëse.
“Për këtë qëllim ne jemi duke bërë ndryshimet e mëposhtme: do të mbyllim “Tony Blair Associates”. Do të mbaj një numër të vogël të konsulencave personale për të ardhurat e mia, por 80 për qind e kohës sime do të jetë për anën jofitimprurëse”, ka thënë Blair.
Ish-kryeministri britanik, i cili ka punuar dhe si konsulent për qeverinë shqiptare, është kritikuar për ofrimin e këshillave për regjimin në Kazakistan, sesi të përballonin masakrën mbi civilët nga punonjësit e sigurisë. Gjithashtu, Blair ka ndihmuar dhe kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Shekulli.
Reputacioni i tij në Britani nuk është shumë i mirë, pasi është kritikuar për mënyrën se si fitonte paratë e tij dhe për rolin në luftën e Irakut në vitin 2003.
Ndërkohë pasuria e tij përllogaritet në 80 milionë paund.
Këshillat për qeverinë shqiptare Tony Blair u njoftua se do të ishte këshilltar i qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama që në ditët e para të formimit të qeverisë, në shtator 2013. Që në fillim të gushtit 2013, ai i organizoi Ramës vizitën e parë zyrtare në SHBA, një muaj më pas, ku do takohej me liderë botërorë dhe aty rrëfente edhe angazhimin e vet si këshilltar qeverish dhe liderësh.
“Po ju shkruaj për t’ju ftuar në një event të cilin unë po e organizoj në Nju Jork në muajin shtator, së bashku me Jim Kim, President të Bankës Botërore. Është një mbledhje private me krerë shtetesh për të ndarë eksperiencat e implementimit të qeverive të suksesshme. Do të jem i lumtur nëse do të mundeni të jeni pjesëmarrës. Siç edhe unë me shpejtësi kuptova kur u bëra kryeministër, një prej sfidave të mëdha është jo në vendimmarrje me strategjinë e duhur, por dhënia e rezultateve në praktikë, është kaq e thjeshtë, pra bërja e gjërave realitet. Prandaj që prej kohës kur unë e lashë zyrën, jam fokusuar në dhënien e ndihmës efektive qeverive në të gjithë botën. Jam tejet i lumtur që Jim Kim i Bankës Botërore ka vendosur në zemër të axhendës së tij qeverisjen efektive, gjë të cilën ai e ka quajtur ‘Shkenca e përmirësimit të shërbimeve publike bazë’, shkruante Blair.
Edi Rama, në deklarimet e tij, ka mohuar se ka ndonjë pagesë për këshilltarin e tij, që kudo në botë paguhej shumë shtrenjtë për këshillat e tij. Në fund të vitit 2015, me një vendim qeverie, kompania e bashkëshortes së Tony Blair, Cherie, merrte edhe 150 mijë euro, për gjyqin e dështuar me “Rapiscan”, firmës që fitoi koncesionin nga Berisha për skanimin në pikat doganore.
“Omnia Strategy”, kompania e zonjës Blair mendohet të ketë marrë gjithsej 645 mijë euro për të zgjidhur mosmarrëveshjet e qeverisë shqiptare me “Rapiscan”, kur në fakt nuk është zgjidhur asgjë, pasi firma vazhdon të marrë pagesat për çdo skanim.
Sipas gazetës britanike “Daily Mail” çifti Blair po përfitonte nga qeveria shqiptare dhe qeveria e Kazakistanit. “E themeluar në vitin 2011 nga Çeri, “Omnia” ishte burim debati kur u zbulua se ishte paguar 500 mijë stërlina për konsulencë ligjore nga qeveria shqiptare. Debati lindi për shkak të rolit të Tony Blair si këshilltar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që prej vitit 2013.
Shqipëria nuk është i vetmi vend ku “Omnia” është angazhuar. Ajo është paguar 400 mijë stërlina për 6 muaj punë në Kazakistan, për rishikim të “marrëveshjeve tregtare bilateral”. Tony Blair u vu shpeshherë në qendër të kritikave të mediave britanike, për shkak se ai dyshohet për fshehje taksash dhe përdorim të detyrës si përfaqësues i Kuartetit në Lindjen e Mesme, për biznesin e tij privat. Për shmangie të taksave tashmë po kritikohet edhe kompania e bashkëshortes së tij.
Në shkrimin e Daily Mail thuhet se “Omnia” është regjistruar si kompani me përgjegjësi të kufizuar dhe si e tillë nuk paguan tatimin mbi fitimin. Në fillim të gushtit të kaluar, Tony Blair erdhi te vila qeveritare në Dhërmi, duke shijuar pushimet në bregdetin shqiptar, nën shoqërinë e Edi Ramës. Ky i fundit postoi vetë në faqen e tij në “Facebook” një foto me ish-kryeministrin britanik.
Blair: Kontratë jofitimprurëse me Ramën
Pak ditë pas fitores së koalicionit PSLSI në zgjedhje, ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair u shpreh edhe një herë i gatshëm për të këshilluar qeverinë e re të Shqipërisë. Një zëdhënës i ish-Kryeministrit tha se, Blair ishte gati të ofronte kontributin e tij për kundrejt një kontrate jofitimprurëse.
Qeveria e re në Shqipëri është vendosur për të punësuar Tony Blairin si këshilltar, pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Koalicioni i liderit të PS-së, Edi Rama fitoi bindshëm duke marrë 84 mandate nga 140 që ka parlamenti dhe do të rikthejë socialistët në pushtet për herë të parë që pas vitit 2005. Rama, i cili fitoi lëvdata si kryebashkiak i Tiranës, u takua me ish-Kryeministrin e Britanisë, Tony Blair në zyrën e tij në Londër, një muaj më parë.
Një kontratë zyrtare nuk është firmosur, por pritet që Blair të japë këshilla për tërheqjen e investimeve, promovimin e turizmit dhe për t’i dhënë një hov të ri procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Blair i tha Ramës se, “do të isha shumë i lumtur nëse do t’ju ndihmoja, jam shumë i interesuar për vendin tuaj”.
Shqipëria mbetet një prej vendeve më të varfra në Evropë, me një mesatare të ardhurash prej 250 eurosh në muaj. Gjatë fushatës, Rama premtoi reforma në sektorin publikë dhe rritjen e mundësive për punësim. Një tjetër eksponent i Laburistëve të Rinj, Alister Kembëll, thuhet se ka luajtur rol kyç në fitoren e socialistëve, shkruanin mediat britanike.
Ish-drejtori i komunikimit të Blairit, ka dhënë këshilla për strategjinë elektorale dhe për politikat e përgjithshme të Partisë Socialiste në garën për fitimin e zgjedhjeve.
“Tony Blair i dërgon urime të ngrohta Edi Ramës për fitoren në zgjedhje. Ashtu siç kemi thënë më përpara, ne do të ishim shumë të lumtur të punonim me qeverinë e re të Shqipërisë. Por, në fakt nuk ka asnjë kontratë të firmosur dhe nëse do të ketë, puna jonë do të jetë jo fitimprurëse”, shprehej zëdhënësi i Blair.
Marrëveshja Rama-Blair, miliona stërlina?
Në maj 2013, gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtoi vëmendje bashkëpunimit të shpallur nga Edi Rama me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Telegraph zbuloi se marrëveshja me kryesocialistin Edi Rama ishte negociuar që në shkurt 2013, kur në Shqipëri ishte ish-drejtori i Komunikimit në qeverisjen e Blair, Alister Kembëll, për të promovuar librin e tij.
Sipas gazetës, një zëdhënës i partisë ka refuzuar të deklarojë se sa do të paguhet Tony Blair, edhe pse shifra, sipas Telegraph ka të ngjarë të jetë disa milionë funte. Blair ka ngritur “Këshillimin Praktik të Qeverive” menjëherë pasi la Downing Street në vitin 2007, duke mobilizuar Jonathan Powell, ish-shef stafi, dhe Alister Campbell, ish-drejtori i tij i komunikimit.
Telegraph shkruan se paratë e fituara nga organizata “Këshillimi Praktik i Qeverive”, e cila punëson disa konsulentë, janë administruar nëpërmjet një kompanie të quajtur, “Windrush Ventures”. Të ardhurat e fundit të “Windrush” tregojnë shifra me më shumë se 16 milionë funte për vitin që përfundoi me 31 mars 2012, me një fitim 3.6 milionë funte. Ndërsa personaliteti i zotit Blair ka rënë në Britaninë e Madhe, vijon më tej shkrimi, në prag të luftës së dytë në Irak, ai është konsideruar një hero në Shqipëri dhe në Kosovë pas ndihmës që dha gjatë konfliktit të Kosovës me ish-Jugosllavinë.
Është thënë se qindra fëmijë në Kosovë janë quajtur Tony Blair, në nder të tij. Telegraph po ashtu citoi edhe një prej njerëzve më të afërt të Ramës, këshilltarin e medias në PS, Endri Fuga, i cili ka thënë se “Campbell është një mik me të cilin shkëmbyem këshilla. Campbell e bën këtë sepse ai e beson të majtën”.
Ndërkaq, një zëdhënës i Blairit ka thënë se “Rama është takuar me Tony Blairin në Londër javën e kaluar. Siç është raportuar saktë në mediat në Shqipëri, zoti Rama tha se nëse ai do të behet kryeministër, do të donte disa këshilla si se të modernizojë qeverinë apo të implementojë agjendën e reformave”.
“Gjithçka ishte shumë e përgjithshme në lidhje me punën që Blair dhe ekipi i tij mund të bëjnë atje”, ka shtuar ai.