Në bllokun shqiptar është duke u punuar për të krijuar një front të përbashkët, thuhet nga Lëvizja BESA, të cilët intensivisht përgatiten për pjesëmarrje në zgjedhje, duke qenë vazhdimisht në terren.
“Sa i përket koalicioneve opozitara parazgjedhore, nëse bëhet fjalë vetëm për BDI-në, kjo parti mund të mundet edhe vetë nga Lëvizja BESA, por për ta rritur sigurinë e qytetarëve se BDI-ja përfundimisht do të shkojë në histori, ne tashmë seriozisht punojmë për një konsolidim sa më të madh të mundshëm të opozitës së vërtetë shqiptare. Ne do të përpiqemi që të krijojmë një front sa më të madh dhe mendojmë se të gjithë ata që janë kundër BDI-së munden shumë lehtë të jenë pjesë e këtij koalicioni, përveç nëse janë të ‘kapur’ nga BDI-ja prej kohësh”, thotë Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.
“Në këtë kohë jemi të fokusuar në konsolidimin e bllokut shqiptar dhe më pas të gjithë sëbashku do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ky është një vendim të cilin sigurisht nuk do ta sjellë vetë Lëvizja BESA, por së bashku me partnerët e saj në koalicion nga blloku shqiptar” shpjegoi Gashi./Infoshqip.com