Gjobitet gruaja e Kryetarit të Kumanovës! Zero tolerancë për keqparking në Kumanovë

Kjo shenjë e komunikacionit është ndër më të respektuarat në Kumanovë. Kjo nga që muajt e fundit, autoritetet komunale në bashkëpunim me policinë kanë ndërmarrë një aksion për zero tolerancë ndaj parkimeve joadekuate. Qytetarët vazhdojnë në ankohen se trotuaret janë të bllokuara nga veturat dhe nuk mund të kalojnë lirshëm në ato shtigje që janë të destinuara për këmbësorë.

Gjobës nuk mundi t’i shpëtoj as bashkëshortja e kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievskit. TV21 pyeti kryetarin se si reagoi në momentin që kuptoi se u sanksionua gruaja e tij, e cila kishte parkuar veturën në mënyrë joadekuate.

“Po të gjithë ne jemi pjesëmarrës në komunikacion, të gjithë ngasim makinat dhe është normale të bëjmë edhe shkelje. Por, më e rëndësishmja është që ne kur shkelim rregullat të marrim edhe sanksionin e duhur. Është i saktë ai informacion! Në periudhën kur zbatohet aksioni për zero tolerancë për parkim joadekuat, njëra nga shkelëset e rregullave ishte dhe bashkëshortja ime dhe normalisht që ka paguar gjobën. Kurse, unë i thash drejtorit të Ndërmarrjes publike të parkingjeve që të shpërblehet punëtori, i cili ia ka shqiptuar gjobën”, tha Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës.

Sipas komunës, SPB në Kumanovë në bashkëpunim me Ndërmarrjen publike të parkingjeve, janë në mirëmbajtje të vazhdueshme që trotuaret e këmbësorëve mos të bllokohen me parkime joadekuate të veturave. Për këtë arsye funksionon edhe shërbimi karrotrec, i cili sipas autoriteteve, mesatarisht në ditë merr nga 20 vetura, si pasoje e parkimit në vend të palejuar. Nga drejtoria e parkingjeve thonë se aktualisht në Kumanovë ka rreth 500 vend parkime, por në projekt janë edhe disa garazhe të përkohshme në kate, me qëllim që sipas komunës, të evitohet mbingarkesa e veturave nëpër rrugët e Kumanovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu