Vërshimet, LSDM kërkon që dëmshpërblimi të bëhet publik

Iniciativa e deputetëve të LSDM–së për dëmshpërblimin e drejtë dhe para sezonit dimëror të banorëve të goditur nga përmbytjet ngjalli debatin midis deputetëve të opozitës dhe pushtetit.
Deputetët e LSDM-së kërkuan që emrat e personave të dëmshpërblyer si dhe shuma e parave të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Financave, e jo sikurse deri tani banorët paratë t’i marrin nën presion vetëm nëse votojnë për VMRO-DPMNE-në.
“Pagesa e dëmeve është keqpërdorur maksimalisht për shantazh dhe grumbullimin e votave në periudha parazgjedhore. Tani kur në dhjetor na presin zgjedhjet, unë jam i bindur se do të kemi keqpërdorime të tilla. Jam dëshmitar se si kjo ndodhi në Strumicë gjatë vërshimeve në periudhën parazgjedhore. Atëherë dëmshpërbleheshin aktivistë të VMRO-DPMNE-së të cilët fare nuk ishin të dëmtuar”,- deklaroi Pançe Orcev nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE shfajësuan veten se procesi i vlerësimit të dëmeve dhe pagesa po kryhen në mënyrën më transparente nga komisionet për vlerësimin e dëmeve. Prioritet për VMRO-DPMNE-në janë qytetarët, ndërkaq akuzuan deputetët e LSDM-së se hapin debate vetëm për populizëm.
“Kjo është dyfytyrësi. Kush jeni ju që të gjykoni se një person, emri i të cilit do të publikohet, se a është dëmshpërblyer në mënyrë transparente. Përse ekzistojnë komisionet? Kërkesat tuaja janë jologjike. Vetëm angazhimet e institucioneve sjellin siguri për qytetarët”,- theksoi Liljana Kuzmanovski nga VMRO-DPMNE.
Përmbytjet e 6 gushtit goditën afër 5 mijë familje në rrethinat e Shkupit, duke shkatërruar shumë shtëpi dhe të mbjella. Qeveria premtoi dëmshpërblim 100%, që sipas LSDM-së është i parealizueshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu