Maqedoni: 400 milionë dollarë janë të ardhurat vjetore nga emigrantët

Shumë familje në Maqedoni marrin rreth 2500 euro nga të afërmit e tyre që ndodhen jashtë vendit, në formë të parave të remitencave.

Në Maqedoni çdo vit hyjnë rreth 400 milionë dollarë, shumë kjo që përbën 4% të BPV-së, tregojnë rezultatet e projektit “Migrimi si mbrojtje sociale: Analiza e amvisërive shqiptare, maqedonase, serbe që pranojnë remitenca”.

Këto mjete kanë rol të madh në zvogëlimin e varfërisë, por nevojitet strategji me të cilat këto mjete të mund të shfrytëzohen në mënyrë adekuate, u potencua nga ana e ekipit hulumtues.

“Remitencat e kanë rolin e mbrojtjes sociale joformale për pranuesit. Atë e tregon fakti se familjet të cilat marrin remitenca kanë më pak gjasa të jenë të varfër për 27 për qind”,- deklaroi Blagica Petreski nga Instituti për hulumtime ekonomike dhe politike.

Në krahasim me rajonin, Maqedonia shënon nivel mesatar të marrjes së remitencave. Vlerë më të lartë ka në Kosovë, në Serbi remitencat marrin pjesë me rreth 8,5 për qind të BPV-së.

Përqindje të lartë të remitencave, rreth 30 për qind të BPV-së, ka në Kirgistani, por edhe atje ende nuk është ndërtuar strategji për shfrytëzim adekuat të këtyre mjeteve.

“Rezultatet e hulumtimit tonë tregojnë se në Serbi familjet të cilat i marrin këto para kryesisht i shfrytëzojnë për nevojat bazë, si: ushqimi, pagesa e faturave dhe punë të ngjashme”,- tha Marko Vladisavleviq nga Fondacioni për zhvillim të shkencave ekonomike nga Beogradi.

“Një nga qëllimet kryesore të Qeverisë së Kirgistanit është që të shfrytëzohen këto remitenca në mënyrë më efektive”,- u shpreh përfaqësuesi nga Kirgistani, Kamalbeg Karinmashov.

Më së shpeshti në Maqedoni mjetet e mërgimtarëve vijnë nga vende me zhvillim të lartë nga Bashkimi Europian dhe nga shtetet e tejoqeanike, siç janë Amerika dhe Australia.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu