Drejtori i deritanishëm i shtëpisë së pleqve në Kumanovë përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se ka dorëzuar mandatin. Ai deri më tani njihet si drejtori më i suksesshëm në këtë institucion i cili arriti ta ringjall nga borxhet dhe kushtet e tmerrshme.
Mbetet të shihet se kush do ta zëvendësoj në këtë post, pasi që tani priten ndryshime në të gjitha ndërmarrjet dhe drejtoritë e shkollave në Kumanovë, pas mbarimit të mandateve që i kanë deri në fund të këtij muaji.
Sipas ndarjes së kulaçit ky post mund ti takojë shqiptarëve që janë pjesë e LSDM-së, mirëpo ende një gjë e tillë nuk është konfirmuar. Nga ana tjetër është zbuluar se shumë drejtorë që kanë qenë të emëruar deri më tani nëpër drejtoritë komunale, e sidomos të emëruarit nga rradhët e BDI-së nuk kanë plotësuar kushtet elementare për një gjë të tillë.
Pikërisht për këtë, jozyrtarisht flitet se në brenda strukturave partiake të BDI-së ka filluar që të paraqiten mosmarrëveshje dhe përçarje për emërimet e ardhshme.
Nga komuna kanë njoftuar se çështja e emërimit të drejtorëve të rinj do të përfundojë në afatin e paraparë, që është fundi i muajit maj.