VMRO-DPMNE punon për shtyrjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit

VMRO-DPMNE është duke punuar në teren për shtyrjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me qëllim të mbajtjes së tyre në mars ose prill të vitit të ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale, shkruan gazeta Slloboden Peçat. Duke u thirr në burime partiake, kjo gazetë shkruan se VMRO-DPMNE do të mundohet të bëjë gjithçka që zgjedhjet të mos mbahen më 11 dhjetor, por të mbahen “dy në një”, transmeton Gazeta Lajm.

Të njëjtat burime kanë thënë se “obstruksionimi” i 11 dhjetorit nga ana e VMRO-DPMNE-së bëhet përmes ligjeve për mediumet, por edhe përmes Gjykatës Kushtetuese e cila ende nuk po përcaktohet lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për themelimin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Opozita dhe mediumet e pavarura në Maqedoni paralajëmrojnë rrezikun që Kushtetuesja të shpallë ligjin për PSP-në si antikushtetues, mirëpo vetëm pasi të shpërbëhet Kuvendi më 12 tetor, me qëllim që deri në zgjedhjet e ardhshme deputetët të mos kenë mundësi të sjellin Ligj të ri për PSP-në.

Sulmet e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ndaj PSP-së janë shtuar pasi kjo prokurori ngriti padi ndaj 21 personave në dy raste të ndara. Në njërën prej padive është përfshirë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Ekspertët maqedonas kanë vlerësuar se në rast se zgjedhjet shtyhen edhe një herë, kjo nuk do t’i sillte asgjë të mirë Maqedonisë.

“Kjo do ta sillte në pikëpyetje mbarë Marrëveshjen Politike nga Përzhino dhe do të hapte një kornizë të re kohore deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që duhet të mbahen në maj. Kjo është një periudhë e gjatë që do të plotësohej me pasiguri dhe seri të re negociatash, që gjithsesi nuk do të ishte mirë për Maqedoninë”, ka deklaruar Bojan Mariçiq, nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian (QMAE).

Duke komentuar sjelljen e VMRO-DPMNE-së, profesori Gjorgji Tonovski vlerëson se ekzistojnë indikacione për tentime të pushtetit që të prolongojë zgjedhjet, posaçërisht pas dy padive të PSP-së, transmeton Gazeta Lajm.

“Është shumë me rëndësi se çka do të ndodhë me PSP-në dhe nëse Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizojë. Nëse zgjedhjet prolongohen, kjo vetëm se do ta thellonte agoninë në vend”, ka deklaruar Tonovski.

Marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni u arrit më 31 gusht, mes liderëve të katër partive politike. Paraprakisht ishin caktuar zgjedhje në prill dhe në qershor, mirëpo ato nuk u mbajtën për shkak të vlerësimit të opozitës se nuk janë plotësuar kushtet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu