Pas qëndrimit të prokurores speciale Katica Janeva në përgjigjet e pyetjeve të deputetëve në lidhje me rastin “Monstra” ka bërë të ditur se ajo dhe ekipi i saj janë duke e shqyrtuar këtë rast. Përpos për rastin “Monstra” ajo tha shqyrtojnë rastet si “Sopoti”, “Kumanova”, “Gjorçe Petrovi”, mirëpo tha se problemi qëndron tek kompetenca. Sipas saj është Këshilli i Prokurorëve ai që po konteston kompetencën e tyre dhe që nuk u lejon të dëshmojnë provat që posedojnë.
Nga ana tjetër njëri nga familjarët e të burgosurve në rastin “Monstra” Bedri Ajdari në një prononcim për portalin Almakos ka kërkuar nga deputetët shqiptarë që të votojnë ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, ndryshe do të llogaritet se edhe ata kanë dorë në këtë vrasje dhe montim të burgosjeve të shqiptarëve të pafajshëm.
“Prokuroria Speciale është e penguar në punën e saj nga Këshilli i Prokurorëve dhe gjykatësve, ngase provat të cilat i ka siguruar ajo nga përgjimet nuk janë të pranueshme për institucionet gjyqësore. Njëashtu Prokuroria Speciale me përpjekjet e tyre kanë arritur që të sigurojnë dëshmitarë të cilët do të dëshmonin inskenimin e gjithë procesit të vrasjes së pesëfishtë në Smillkovcë. Mirëpo fatkeqësia e kësaj është se deri tani assesi nuk është pranuar propozimi i Katica Janevës që të sillet një ligj për dëshmitarët e mbrojtur, veçanërisht dëshmitarët e rasteve të cilat janë edhe nën ingerenca të speciales. Do i kisha apeluar të gjithë deputetët në Maqedoni, sidomos ato shqiptarë që të votojnë ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, ndryshe edhe ata do të llogariten se kanë dorë në këtë vrasje dhe montim të burgosjeve të shqiptarëve të pafajshëm. Është normale pra, askush nuk do të kishte mundur që të dëshmojë për ndonjë rast nëse paraprakisht e di që do ta vë në rrezik jetën e tij dhe të familjes”,deklaroi për Almakos, Bedri Ajdari.
Këto pushtetarë për të mbrojtur interesin e tyre dhe për ta fshehur kriminalitetin sipas Ajdarit janë në gjendje të bëjnë çmos, bile edhe të vrasin njerëz.